Nga Gazeta ‘Si’- Në seancën e sotme plenare në Kuvend, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, u pyet në lidhje me rastin e arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta.
Në lidhje me këtë rast, Ballanca tha se janë gjetur disa shkelje nga ana e policisë gjatë momentit të arrestimit, pasi sipas saj ish-presidentit i është cënuar dinjiteti njerëzor.
“Jo të gjitha pretendimet e paraqitura në media kanë qenë të bazuara. Ajo që kemi identifikuar është që mënyra e ndalimit është bërë në kundërshtim me ligjin përkatës, sepse nuk është ruajtur dinjiteti njerëzor i z. Meta dhe ngado të shikohet, është një nga ato çështje që duhet trajtuar, sepse dinjiteti i çdo qytetari do të ishte i cënuar nëse ndalimi do të bëhej në atë mënyrë.
Një rast tjetër është se kishin ndërhyrë Forcat Speciale, kur në bazë të ligjit kjo bëhet vetëm në rast kur individi përbën rrezik për shoqërinë. Kishte problematikë edhe me njësinë dalluese dhe me uniformën që duhet përdorur nga Forcat Speciale”, tha Ballanca.
Më tej, Avokatja e Popullit shtoi se kryetari i Partisë së Lirisë, pavarësisht kësaj, vetë kishte firmosur dy dokumente ku ka deklaruar se nuk është dhunuar në asnjë moment nga efektivët e policisë: “Ai nuk ka pretenduar dhunë nga Policia e Shtetit. Ka dy dokumente, një në prezencë të avokatit dhe një në momentin e parë të hyrjes në bllokun e sigurisë, ku ai ka pranuar që nuk është dhunuar.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



