Drejtësia

Vrau turistin nga Tirana për një foto me kalin, autori iu kërkon falje familjarëve të viktimës!

Gazeta Si – Gjykata e Shkallës së Parë në Berat vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 63-vjeçarin Kristo Mema, i akuzuar për “vrasje me dashje” ndaj 43-vjeçarit Keli Hoxha nga Tirana, pas një konflikti për një foto me kalin në qendër të Kalasë së Beratit.

Në sallën e gjyqit, autori u shpreh i penduar dhe kërkoi falje familjarëve të viktimës për krimin e kryer, duke deklaruar se gjithçka ndodhi në gjaknxehtësi e sipër.

Sipas tij, 42-vjeçari Keli Hoxha, banues në Tiranë, por me origjinë nga Tropoja, e kishte ofenduar dhe sharë nga familja.

Ngjarja ndodhi më 28 tetor, në prani të familjarëve dhe fëmijëve të viktimës. Debati mes autorit të vrasjes dhe viktimës filloi pasi ky i findit i kishte prekur kalin, të cilin autori e përdorte për të shëtitur turistët rreth kalasë, kundrejt një pagese.

Mësohet se Kristo Mema, pasi ka parë Keli Hoxhën të prekë me dorë kalin e tij, i ka thënë që të largohej, pasi kafsha sipas tij, nuk ishte mirë dhe ishte e acaruar.

Pas kësaj, autori dhe viktima kanë debatuar dhe në këto momente, autori ka nxjerrë thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e ka qëlluar.

Më pas, autori ka shkuar në banesë, ka lidhur kalin në kasolle, ka marrë disa ushqime dhe u fsheh në një nga shpellat e kalasë, për t’i shpëtuar policisë.

Viktima Keli Hoxha, nuk mundi dot t’u mbijetojë plagëve të marra dhe gjeti vdekjen sapo mbërriti në Spitalin Rajonal Berat.

Autori Kristo Mema, 63-vjeç, dyshohet se kishte kryer një dënim prej dy dekadash për një tjetër vrasje me thikë në Greqi dhe ishte kthyer në vendlindjen e tij në Berat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë