Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka lëshuar masa sigurie ndaj 3 personave, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në dosjen “5D” e njohur si aferë e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, të cilët janë marrë të pandehur.
Në pranga ka rënë Ilir Allmeta, ndërsa për Ermir Gjoklajn dhe Mirash Lulën është caktuar “detyrim paraqitje”, pasi akuzohen për veprat penale të “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)”, “Fshehjen e të ardhurave” dhe “Falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve”.
Sips hetimeve nga organi i akuzës, thuhet se tre subjektet tregtare, “Allmeta 02”, “TT” dhe “Valbona Alb”, kanë kryer shitje të dyshuara fiktive në favor të kompanisë “5D Konstruksion”, me një vlerë totale prej 3.7 mln euro, duke krijuar TVSH dhe Tatim Fitimi të përllogaritur prej 108,004,122 lekë.
Subjekti “5D Konstruksion”, nën hetim edhe nga Prokuroria e Posaçme, dyshohet se ka rritur artificialisht shpenzimet për punët publike të tenderuara nga Bashkia Tiranë, duke përdorur faturat fiktive të lëshuara nga personat nën hetim.
Kjo ka mundësuar përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës tatimore për Tatimin mbi Fitimin, duke dëmtuar interesat financiare të shtetit.
Vlera e 370,299,847 lekëve është përdorur nga subjekti “5D Konstruksion” si shpenzim i justifikuar në tenderat publikë, duke i mundësuar subjektit përfitues të përvetësojë fondet publike në mënyrë të pajustifikuar.
Veprimet e koordinuara të këtyre subjekteve përbëjnë elementët e veprës penale të “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me TVSH”, në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



