Nga Gazeta Si- Erind Lasku, njëri prej të shpallurve në kërkim për operacionin “Ura” në Durrës, është ekstraduar nga Italia mbrëmjen e djeshme, pasi ndaj tij GJKKO kishte caktuar masën “arrest me burg”.
Lasku ishte në kërkim ndërkombëtar për pastrimin e parave të grupit kriminal që drejtohej nga Elvis Doçi, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”.
Këtij të fundit para një viti, policia i gjeti dhe sekuestroi shumën “cash” prej 3 milionë eurove dhe është ende i shpallur në kërkim.
Roli i të ekstraduarit nga Milano, ishte koordinimi i investimeve në pasuri të paluajtshme të parave të fituara nga trafiku i drogës.
Tashmë ai pritet që t’i nënshtrohet procesit gjyqësor për akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe të pandehurve të tjerë të operacionit “Ura” për të cilin u lëshuan 29 urdhër-arreste.
Grupi i drejtuar nga Elvis Doçi funksiononte me hierarki në 5 nivele të ndryshme. Doçi dhe Adi Çoba rezultojnë krerët e grupit dhe merreshin me sigurimin e lëndës narkotike nga Amerika Latine dhe më pas transportimin në vendet e Bashkimit Europian.
Më pas transporti i parave të përfituara bëhej nëpërmjet autobusëve që vinin drejt Shqipërisë. Deri më tani janë zbardhur 32 episode ku shoferët e autobusëve kanë transportuar drejt vendit tonë rreth 3 milionë euro cash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


