Nga Gazeta Si- Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehura dy mjeke obstetër-gjinekologe, E. K. dhe I. M., të cilat akuzohen për neglizhencë në trajtimin mjekësor. Dy mjeket neglizhuan pacienten dhe gjendjen e saj të rënduar duke çuar në humbjen e jetës së foshnjës.
Nga hetimet mbi procedimin penal të vitit 2023, të nisura pas denoncimit të G.S., rezultoi se këto dy mjeke, kanë qenë të pakujdesshme dhe neglizhente, duke mos ndjekur protokollet standarde, e shenjave vitale dhe mosreagimin ndaj ndryshimeve shqetësuese në gjendjen e pacientes.
Më konkretisht, nga hetimet rezultoi se mjekja I.M. nuk ka hapur dhe nuk ka mbajtur historikun e të dhënave mjekësore për shtatzëninë e G.S., pavarësisht se ka kryer ekzaminime dhe ka ndjekur rastin për një periudhë të gjatë kohe.
Pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme të pacientes, kjo mjeke nuk ka reaguar duke mos bërë ekzaminime të detajuara shtesë. Kjo sjellje ka çuar drejtpërdrejt në pasojat më të rënda, pikërisht lindjen e një foshnje prematur me probleme serioze shëndetësore dhe vdekjen e saj, si dhe rrezikimin e rëndë të jetës dhe shëndetit të nënës.
Në kushtet kur nga ana e mjekes I. M. po neglizhohej, pavarësisht shqetësimeve të saj dhe gjendjes së përkeqësuar pa asnjë përmirësim, pacientja iu drejtua edhe mjekes E.K. për të vazhduar ndjekjen e shtatzënisë. Por edhe kjo mjeke kreu një sërë veprimesh dhe mosveprimesh që përbëjnë shkelje të rënda, duke cenuar seriozisht jetën dhe shëndetin e nënës dhe të fëmijës.
Gjatë kohës që e ndiqte, pacientja ka shfaqur simptoma të rënda që ishin sinjal i qartë për një gjendje patologjike serioze, e identifikuar më vonë si pre-eklampsi e formës së rëndë. Megjithatë, mjekja nuk ka ndërmarrë asnjë masë mjekësore të përshtatshme për të trajtuar ose për të parandaluar përkeqësimin e kësaj gjendjeje pavarësisht vizitave në klinikën private.
Gjithashtu, nuk ekziston asnjë dokument që të provojë se gjatë kësaj periudhe janë matur parametrat vitalë të pacientes, si tensioni apo pesha trupore. Nëse do të ishte vepruar sipas standardeve, këto matje do të ishin dokumentuar dhe do të shërbenin si bazë për të marrë masa.
Në fund, pacientja është shtruar në maternitetin “Koço Gliozheni” me një diagnozë të rëndë, pre-eklampsi e avancuar, dhe se gjendja e saj kishte avancuar në një pikë të tillë që kërkoi ndërprerje të menjëhershme të shtatzënisë. Kjo situatë ishte rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së ndjekjes së duhur mjekësore dhe mosmarrjes së masave parandaluese nga mjeket që e kishin ndjekur më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



