Drejtësia

Sundimi i ligjit, Shqipëria renditet e parafundit në rajon

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria është përmirësuar me dy pozicione në Indeksin botëror të Sundimit të Ligjit për vitin 2025. Sipas të dhënave nga World Justice Project, Shqipëria renditet e 87-a nga 143 vende. Një vit më parë ishte e 89-a.

Vlerësuar sipas pikëve, pë vitin 2025, Shqipëria merr 0.49 pikë, vlerë që ka ardhur në rënie, të paktën dekadën e fundit. Në 2015-n, Shqipëria mbante vendin e 52-të nga 105 vende.

Indeksi vlerëson disa indikatorë, ku “thembra e Akilit” për Shqipërinë është zbatimi i ligjit nga ana e institucioneve apo ndikimi i korrupsionit, ku vendi jonë ka renditjen më të keqe, 111 nga 143.

Mungesa e korrupsionit është një tjetër indikator ku Shqipëria nuk performon dhe aq mirë, duke mbajtur vendin e 105, por me përmirësim nga viti i shkuar. Në të njëjtin pozicion vlerësohet edhe për “kufizimin e fuqisë së qeverisë” nëpërmjet ligjeve apo mekanizmave të tjerë.

Shqipëria performon mirë në indikatorin e rendit dhe sigurisë, ku mban vendin e 55-të, me një rënie të lehtë nga viti i shkuar.

Në rajon, Shqipëria lë pas vetëm Serbinë, e cila renditet në vendin e 96-të. Mali i Zi ka renditjen më të mirë, në vendin e 55-të. Kosova mban vendin e 59 dhe Maqedonia e Veriut vendin e 64.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë