Gazeta Si – Një një operacion kundër tjetërësimit të pronave, Prokuroria e Lezhës sekuestroi 4 objekte ndërtimi pa leje dhe të legalizuara në kundërshtim me ligjin në zonën “Rana e Hedhun”, Shëngjin, Lezhë, si dhe lëshoi masa sigurimi ndaj 9 personave të akuzuar për “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim i paligjshëm”, si dhe “Falsifikim dokumentesh”.
Dyshohet se të ndaluarit, ish-zyrtarë të Kadastrës, punonjës të IKMT dhe policë, kanë qenë të përfshirë në manipulime dokumentesh dhe favorizime për përvetësimin e tokave.
Sipas informacioneve, bëhet fjalë për ndërtimin e disa shtëpive në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku dyshohet të jenë tjetërsuar prona, ndërtuar pa leje dhe më pas legalizuar.
Për Pjetër Tucin është dhënë masa e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa për 5 të tjerë, “arrest në shtëpi”: ish drejtori i Kadastrës, Gentian Malotaj, Artur Shabaku ish-shef i Legalizimeve, Artmir Maxhuni zyrtar i Kadastrës, Luiza Bala dhe Hekuran Xhina.
Dy ish-drejtuesit e IKMT-së, Flor Gjini dhe Kol Malai u është ndaluar dalja jashtë vendit, ndërsa polici Martin Ndoka është pezulluar nga detyra dhe i është ndaluar dalja jashtë vendit. Hetimi, i drejtuar nga prokurorja Iva Harka, ka nisur më herët ndërsa priten detaje të mëtejshme.
Emrat e Gentian Malotaj dhe Artur Shabakut dalin në një tjetër dosje për legalizimin e një pallati pa leje në zonë e Kunes në Shëngjin.
Malotaj u pezullua nga detyra si drejtues i Kadastrës dhe Shabaku si drejtues i legalizimeve në shkurt të vitit të kaluar, ndërsa më 5 prill, prokuroria e Lezhës i dërgoi për gjykim bashkë me dy punonjës të tjerë të këtij institucioni për këtë dosje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



