Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dojsjen në gjyq ndaj 6 personave, pjesëtarë të një grupi që merrnin ryshfet kundrejt premtimeve se mund të ushtronin ndikim te funksionarët e drejtësisë për të ndryshuar masat e sigurisë.
Bëhet fjalë për: Musa Gjikola, Klodjan Muça, Sokol Masha, Erjon Dani, Emiljano (alias Millan) Roçi dhe Vilson Roçi, të cilët akuzohen për “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim detyre”.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masa sigurimi personal dhe favorizim në dhënie dënimi ndaj disa të arrestuarve.
Gjithashtu, është provuar se i pandehuri Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve me detyrë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS.
Hetimet kanë dokumentuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare.
Ky procedim penal është ndarë nga procedimi penal nr. 177 i vitit 2023, për të cilin vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë nën hetim, të dyshuar për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



