Drejtësia

Ankimi në ‘Kushtetuese’ për shkarkimin nga detyra, Veliaj do jetë i pranishëm në seancë

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Kushtetuese ka njoftuar zhvillimin e seancës plenare publike për shqyrtimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut të Tiranës, në datën 31 tetor 2025, ku do të jetë i pranishëm edhe vetë Erion Veliaj.

Bëhet fjalë për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet në Tiranë, ashtu sikurse edhe shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut.

Sipas informacionit zyrtar të bërë publik nga institucioni, njoftimi është dërguar më 9 tetor 2025. Gjykata ka njoftuar gjithashtu Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve më 13 tetor 2025, duke kërkuar marrjen e masave për shoqërimin e Veliajt në seancë.

Më pas, në 20 tetor 2025, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit për pjesëmarrje, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me procedurat përkatëse.

“Gjykata Kushtetuese datë 09.10.2025, ka njoftuar kërkuesin Erion Veliaj për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike në 31.10.2025. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese më datë 13.10.2025, ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin e zotit Erion Veliaj në seancën plenare publike në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim. Në vijim, në datën 20.10.2025, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me sa më sipër”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e zbatimit të dekretit të presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë së Tiranës më 9 nëntor. Po të njëjtën ditë u vendos që më 31 tetor të shqyrtoheshin në themel të dyja kërkesat ankimore të Veliajt.

Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje pas ankimit të dytë të paraqitur nga Veliaj më 2 tetor, që kundërshtonte dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve për Tiranën.

Në kërkesën e tij, Veliaj argumentonte se Presidenti ka vepruar në kundërshtim me nenin 115 të Kushtetutës, i cili parashikon se shkarkimi i një kryebashkiaku pezullohet automatikisht nëse ai e ankimon vendimin brenda 15 ditësh në Kushtetuese.

Sipas zyrës avokatore të Veliajt, Presidenti nuk kishte të drejtë të shpallte zgjedhjet pa pritur vendimin e Gjykatës.

Por, presidenti në dekretin e nxjerrë argumentonte se ankimin për shkarkimin nga Këshilli i Ministrave Veliaj duhet ta ankimonte në Gjykatën Administrative dhe jo në Kushtetuese, pasi ai nuk ishte shkarkuar për shkelje të Kushtetutës, por për mosparaqitje në detyrë për një periudhë më shumë se 3 muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë