Drejtësia

Dyshohet se blenë vota për PSD, SPAK çon në gjyq 2 kushërinj për korrupsion në zgjedhje

Gazeta Si – Dy kushërinjtë, Gazment dhe Kalosh Peposhi janë dërguar për gjykim nga SPAK, pasi dyshohet se blinin vota për PSD në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ata do të përballen me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Në njoftimin zyrtar të SPAK, thuhet se dy kushërinjtë Peposhi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë premtuar dhe dhënë para zgjedhësve në njësinë Administrative Ujmisht në Kukës në këmbim të votës për PSD-në e Tom Doshit.

Prokuroria e Posaçme, thotë se ka përgjime telefonike dhe vëzhgimi që faktojnë se Peposhët blenë vota për PSD-në.

“Nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale të hetimit (përgjime të komunikimeve telefonike, vëzhgime dhe veprime të tjera hetimore), ka rezultuar se të pandehurit Gazmend Peposhi dhe Kalosh Peposhi janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në rrethin e Kukësit, gjatë zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë fushatës zgjedhore, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u kanë premtuar dhe dhënë shuma monetare zgjedhësve të Njësisë Administrative Ujmisht, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik ‘Partia Socialdemokrate e Shqipërisë’”, – njofton SPAK.

Hetimi ka evidentuar se të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të këtij subjekti politik, duke ofruar dhe shpërndarë mjete monetare ndaj zgjedhësve për të ndikuar në mënyrën e votimit të tyre”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Arrestimi i 27-vjeçarit Kalosh Peposhi u bë një ditë para zgjedhjeve të 11 Majit, pasi iu sekuestruan edhe shuma monetare 205.500 lekë të reja dhe 525 euro, një aparat celular (Iphone) dhe një automjet (Mercedes Benz). Në kërkim vijon ende Gazment Peposhi, i cili rezulton edhe kryeplak i fshatit Lusen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë