Nga Gazeta Si- Të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të dy klinikave “International Medicare shpk’ e ‘Sante Plus’ janë sekuestruar me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës.
Vendimi për sekuestron e pasurive, vlera e të cilave ende nuk dihet, u mor pas një operacioni nga Krimi Ekonomik në Tiranë që zbuloi se klinika estetike, që operonte në qendër të Tiranës, prej më shumë se një viti ka funksionuar në mënyrë tërësisht të jashtëligjshme, duke i shkaktuar shtetit evazion mbi 1 milion euro dhe duke rrezikuar shëndetin e dhjetëra pacientëve.
Hetimet mbi procedimin penal nisën pas denoncimit të një portugezi, C.S. ndaj International Medicare shpk (ish Sante Plus Group).
Ai pagoi një shumë prej 5200 eurosh për marrjen e tre shërbimeve nga ky spital por doktorët që do të kryenin ndërhyrjet u larguan nga spitali. Pas disa anulimeve, ai kërkoi kthimin e shumës së parave por pa sukses. Kallëzuesi deklaroi se u mashtrua nga ky spital pasi i morën paratë dhe nuk i ofruan shërbimin duke përdorur justifikime të ndryshme.
Nisur nga faktet në kallëzimin e tij dhe nga deklarimet e marra të punonjëseve, u provua se ky spital operonte me mandate dore dhe jo kupona tatimorë.
Gjatë kontrollit u gjetën 1 milionë euro fatura jo tatimore, të padeklaruara, ndërsa dyshohet se si mjekë punonin persona kryesisht turq, të palicensuar si mjekë në Shqipëri.
Gjatë kontrollit u konfiskuan si provë materiale, në sallat kirurgjikale medikamente të ndryshme të skaduara, si dhe medikamente që ndalohet shitja.
Gjatë hetimit rezultoi gjithashtu se ”Sante Plus” ka detyrime për mosdeklarim të pagës reale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



