Gazeta Si – Shtyhet seanca paraprake ku pritej të vendosej nëse do ta kalohej për gjykim dosja në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta.
Shkak ka qenë mungesa e avokatit të ish-bashkëshortes së Metës, Monika Kryemadhi, e cila është marrë edhe ajo e pandehur. Seanca e radhës pritet të mbahet më 11 nëntor.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) paraqiti në seancë prova shtesë që lidhen me hetimet mbi veprimtarinë financiare të të pandehurve. Bëhet fjalë për një letër-porosi, të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por presidenti i Partisë së Lirisë tha se SPAK nuk ka dorëzuar asnjë provë të rejnë lidhje me procesin gjyqësor ndaj tij. Përmes një postimi në Facebook, Ilir Meta ironizon këto prova.
“Në respekt të anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë së Lirisë, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, dua të shpreh përbuzjen time publike për gjoja prova të reja që paskan ardhur nga “Amerika” pas përfundimit të hetimeve. Kjo gënjeshtër e shpërndarë nga SPAK-u dhe prokurorët e provuar si shkelës të ligjit dhe kamikazë të Kryekleptokratit, Edi Rama është një mashtrim për të justifikuar paraburgimin tim të paligjshëm dhe kriminal, si dhe për t’u dhënë mandate të përjetshme kamikazëve që janë provuar si garantë të pandëshkueshmërisë së Edi Ramës dhe armiq të betuar të opozitës dhe pluralizmit politik”, shkruan Meta në Facebook.
Pas daljes nga GJKKO, Monika Kryemadhi sulmoi edhe Altin Dumanin për zgjatjen e hetimeve ndaj dosjes. Sipas saj, kjo gjë bëhet për të mbajtur Metën në burg dhe për të ushtruar presion ndaj saj.
“Dhe arsyeja për të cilën është vepruar kështu, është me qëllimin për të mbajtur z. Meta në burg, për të mbajtur Monika Kryemadhin dhe familjarët e saj nën presion dhe për të arritur në një inat personal që nuk e di se në emër të kujt e ka, por jam e bindur se kushdo që të jetë, është një ushtar i bindur i Yuri Kimit (ish-ambasadorja amerikane në Tiranë) dhe kush është në largim e sipër”, u shpreh ndër të tjera Monika Kryemadhi.
Po shtu, edhe avokati i Metës, Kujtim Cakrani ka shprehur indinjatën e tij mbi procesin pasi tha se pavarësisht faktit që SPAK ka njoftuar mbylljen e hetimeve dhe dërgimin e dosjes në GJKKO, sot janë paraqitur prova të reja ndaj ish-presidentit.
“Kjo ka krijuar tension në sallë pasi kemi kërkuar llogari përse organi i akuzës vijon hetimet edhe pse dosja është dërguar në gjykatë. Kemi patur sot një debat me gjyqtaren Irena Gjoka. Tani do fillojmë betejën me gjyqtaren sepse ka marrë edhe një vendim të paprecedentë duke pezulluar afatet e paraburgimit për Metën ndërkohë që unë isha aty dhe kërkoja të vijonte seanca. Irena Gjoka nuk është e aftë, kërkojmë largimin urgjent të kësaj gjyqtare që ka kompromentuar të gjithë procesin”- tha Cakrani.
Sipas tij, do të ketë një konsultim me Metën lidhur me qëndrimin që do të mbajnë mbi gjyqtaren e posaçme, Irena Gjoka për të cilën edhe Berisha ka patur ankesa.
“Nuk është problem çfarë vjen nga SHBA nuk jemi të shqetësuar për këtë. Do flas me Metën sepse nuk është i pranishëm dhe do mbajmë qëndrimin tonë për Irena Gjokën sepse kjo vazhdon akoma, unë prezent aty ajo pezullon afatet e paraburgimit pse mungon avokati i një të pandehuri tjetër”- shtoi avokati.
Ilir Meta akuzohet për pastrim parash, korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie për aferën CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA për ish-LSI. Të pandehur janë edhe Monika Kryemadhi, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



