Drejtësia

Altin Dumani raporton para deputetëve: Jemi nën presion nga politika dhe krimi i organizuar!

Nga Gazeta ‘SI’ –Kreu i SPAK, Altin Dumani po prezanton në Kuvend raportin e SPAK për vitin 2024. Në total, opozita ka depozituar 57 pyetje për drejtuesin e SPAK, i cili do tu përgjigjet në përfundim të prezantimit të raportit.

Gjatë raportimit, Dumani ka evidentuar problematikat që janë hasur në punën e SPAK, duke vënë theksin në presonin nga krimi i organizuar, politika dhe media, gjë që sipas tij ndikon në efektivitetin e hetimeve.

Kreu i SPAK ka shtuar se nuk janë adresuar ende problematikat mbi statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre dhe faktin që vazhdon dhe mbetet problematike çështja e mos ekstradimit të shtetasve shqiptarë të lokalizuar apo arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, siç është argumentuar në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023.

“Presioni i jashtëm ndaj SPAK nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatik, i cili cenon pavarësinë e tij kushtetuese dhe efektivitetin në hetime. Ndërhyrjet e jashtme rrezikojnë gjithashtu, integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor. Për të garantuar pavarësinë e SPAK- ut, si dhe mbështetje për prokurorët në çështje të ndjeshme, nevojitet një reagim më i koordinuar dhe në kohë i të gjitha institucioneve, të cilat kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së integritetit të SPAK.

Vijimi i mungesës së përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. SPAK konstaton se, kjo problematikë nuk është adresuar ende dhe thekson se mos përcaktimi i qartë i këtij statusi mund të cenojë vijimësinë e ruajtjes së standardeve të larta profesionale të hetimit, të kërkuara nga publiku, Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe institucionet ndërkombëtare. Siç është nënvizuar edhe në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023, nga mungesa e një statusi të qartë të prokurorëve të posaçëm do të cenohej gjithashtu dhe vazhdimësia e hetimeve të rëndësishme të kryera nga SPAK.

Vijon ende të ngelet problematike numri i ulët i referimeve nga institucionet publike, përfshirë policinë e shtetit në lidhje me veprat penale në kuadër të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ndër të tjera Dumani.

Ai bëri një bilanc të pasurive të sekuestruara nga SPAK.

“SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar. Në këtë kontekst, është forcuar Sektori i Hetuesve Financiarë nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve njerëzore kryesisht në hetimet financiare dhe pasurore me veprime komplekse brenda dhe jashtë vendit ku përfshihen edhe veprimet me kriptovaluta. Gjatë vitit 2024, me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë është finalizuar nxjerrja e një udhëzimi të përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale për kryerjen e hetimit financiar dhe pasuror në SPAK. Ndërkohë që për pasuritë e konfiskuara kjo vlerë arrin në shumën rreth 36,7 milionë euro. Kështu, vlera e pasurive të sekuestruara zë rreth 43,8% të vlerës totale, ndërsa pasuritë e konfiskuara zënë rreth 56,2% të vlerës totale. Krahasuar gjithashtu me vitin 2023, vihet re një rritje në masën rreth 59,7% e vlerës totale të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara (rreth 65,5 milion euro në vitin 2024 kundrejt rreth 41 milion euro në vitin 2023).

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha parashikohet të mbajë një fjalë 15 minutëshe, pasi Dumani të ketë përfunduar dhe me përgjigjet e pyetjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë