Drejtësia

Investime me para të pista? Çela: Kompetencë e SPAK

Nga Gazeta ‘Si’- Një nga 25 pyetjet që deputetët e PD kishin përgatitur për kryeprokurorin e përgjithshëm Olsian Çela ishte nëse janë përdorur para të pista në investime.

Çela u distancua duke theksuar se kjo është një çështje që i takon Prokurorisë së Posaçme. 

“Masat e marra nga ana jonë unë i parashtrova, por duke qenë se jeni fokusuar te ndërhyrja e krimit të organizuar në investime, kjo është një çështje që i takon Prokurorisë së Posaçme.

Megjithatë në raportin që iu lexova kishte të dhëna për pastrimin e parave, është një fenomen i dukshëm dhe ndaj organizimi që është bërë me qëllim impakt pozitiv. Patjetër ka pasur progres, dalja e Shqipërisë nga lista gri, megjithatë ka ende shumë punë për të bërë.”

-A keni pasur referime për ndërtime të paligjshme apo zaptime prej shumë vitesh, kur shumë qytetarë kanë marrë lejet nga bashkitë edhe në shkelje të ligjit?

Çela: Kemi për vitin 2024, procedimet e regjistruara 1130, 207 të pandehur dhe 400 numri i të pandehurve të dënuar. Dukshëm ka një aktivitet të goditjes së ndërtimeve të paligjshme. Nuk mund të jap sot një të dhënë se në cilat raste ka pasur përgjegjësi penale nga Inspektoriati, por në çdo rast ka pasur hetim.

-Rezulton se persona të dënuar kanë përfituar prokurime publike.  A keni hetim për shpërdorim detyre për zyrtarë? Apo mbyllni sytë para këtyre fenomeneve? Përfitimi i tenderave publik nga persona me rekorde kriminale është  luftë kundër krimit apo e fuqizon kriminalitetin?

Çela: Nuk mund të them se kam një të dhënë specifike, ku mund të jenë mbyllur sytë. Të dhënat janë të natyrës statistikore. Kjo e dhënë që doni ju është shumë specifike dhe duhet parë rast pas rasti. Pyetjen tuaj mund të na i referoni me qëllim që ne ta marrim dhe tja përcjellim të gjitha prokurorive për të na dhënë ndonjë rast specifik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë