Drejtësia

Olsian Çela raporton në Kuvend: Janë rritur procedimet për veprën e korrupsionit

Nga Gazeta ‘Si’– Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, paraqiti në Kuvend raportin vjetor të institucionit që ai drejton, duke theksuar se gjatë vitit 2024 është vërejtur një rritje e ndjeshme e procedimeve penale për veprën e korrupsionit dhe për pastrimin e produkteve të veprës penale.

“Janë rritur procedimet penale për korrupsionin, përfshirë raste që prekin zyrtarë të lartë të administratës publike”, deklaroi Çela gjatë fjalës së tij në seancën plenare.

Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 569 procedime për korrupsion, ndërsa është vërejtur një rritje e numrit të të pandehurve të dënuar për këtë vepër.

“Ka pasur transferime të procedimeve për krim të organizuar dhe korrupsion në SPAK, si dhe një reflektim në vendimmarrjen e gjykatave për sekuestrimin e pasurive me origjinë kriminale”, – shtoi Çela.

Në total, gjatë vitit 2024, gjykatat kanë vendosur sekuestrimin e pasurive në 35 çështje penale, me 234 pasuri të sekuestruara dhe 89 pasuri të konfiskuara, që përfshijnë ndërtime, truall, ara dhe llogari bankare.

Prokurori i Përgjithshëm theksoi se krimet kundër jetës kanë shënuar rritje, duke kërkuar vëmendje të veçantë për mbrojtjen e kategorive vulnerabël të shoqërisë.

“Duhet të mbrohen më mirë kategoritë më të pambrojtura të shoqërisë. Dhuna në familje vazhdon të jetë në rritje, me mbi 1,194 persona të pandehur vetëm gjatë vitit të kaluar”, u shpreh Çela.

Sipas raportit, gjatë vitit 2024 janë dënuar 10,001 persona të pandehur, ndërsa janë paraqitur mbi 13 mijë kërkesa për masa sigurie.

Çela vuri në dukje se masa më e rëndë, “arrest me burg”, vijon të aplikohet në shumicën e rasteve, megjithëse, siç tha ai, “ende mungon një reflektim më i thelluar nga prokurorët për përdorimin proporcional të kësaj mase”.

Në përfundim, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se në nivel rajonal, qarku i Beratit ka pasur përqindjen më të ulët të krimeve në raport me popullatën, ndërsa Saranda ka regjistruar nivelin më të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë