Drejtësia

Kërkuan kthimin e pasurive, GJKKO rrëzon Jamarbër Malltezin dhe Argita Berishën

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Jamarbër Malltezit dhe Argita Berishës për heqjen e sekuestrove dhe kthimin e pasurive të tyre.

Gjyqtarja Elsa Ulliri la në fuqi “ngrirjen” e një sërë pasurive të dhëndrit dhe vajzës se ish-kryeministrit Berisha në kuadër te dosjes së privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Ata kërkonin lirimin nga sekuestroja të gati 25 pasurive të luajtshme e të paluajtshme, me pretendimin se nuk janë të barasvlevshme me produktin e veprës penale të dyshuar.

Po sipas kërkuesve, disa prej pronave të bllokuara me vendim gjyqësore janë bashkëpronësi e Argita Malltezit, e cila nuk ka asnjë barrë penale në këtë çështje.

Pas arrestimit të Malltezit, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi në masën e sekuestros gati 25 pasuri, nga të cilat, 16 apartamente, disa llogari bankare dhe kuotat e tij në disa shoqëri tregtare.

Jamarbër Malltezi është një prej të pandehurve në dosjen “Partizani”, i akuzuar për “korrupsion” dhe “pastrim të parave”.

I pandehur është marrë edhe vjehrri i tij, ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzohet nga SPAK se ka miratuar ligje që favorizonin dhëndrin e tij për këtë aferë.

Sipas dosjes së SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani”, ka përfituar 5.4 mln euro, që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, janë para të jashtëligjshme, pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi, për t’i pastruar këto para.

Nga sekuestrimet e pasqyrave financiare të shoqërisë, ka rezultuar se Jamarbër Malltezi nuk ka kryer asnjë investim, prandaj në mënyrë të ligjshme nuk mund të ketë përfituar asnjë të ardhur nga kjo shoqëri, pavarësisht se në dorë të SPAK janë fatura për pagesa kesh dhe dividend që shkojnë në emër të tij.

SPAK argumenton se shoqëria “Homeplan shpk” është krijuar vetëm për të qarkulluar para. Vlera e privatizimit është paguar nga kompania e Bektashit, ndërkohë që roli i Jamarbër Malltezit, ka qenë ndikimi tek institucionet për të privatizuar pronën e më pas për të marrë leje ndërtimi. Për këtë ai dyshohet se familjet përfituese e kanë shpërblyer me 3 -5% të pasurive të tyre të paluajtshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë