Gazeta Si – Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e “arrestit me burg” për Gjon Shkambin, xhaxhain e Elvis Shkambit, i cili vrau gjyqtarin Astrit Kalaja më 6 tetor në sallën e gjyqit pas vendimit për një konflikt pronësie. Po ashtu në burg është lënë edhe roja i sigurisë së gjykatës, Banush Koxhaj.
Gjatë seancës me dyer të mbyllura, xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit Kalaja, ka shpërthyer në lot. “Jam i keqardhur për çfarë ndodhi, po ta dija do ta kisha parandaluar”, tha sipas burimeve i dyshuari, i cili më herët kishte kundërshtuar masën duke u ankuar në Shkallën e Dytë.
Sakaq, roja i sigurisë Banush Koxhaj, akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa xhaxhai dhe nipi i tij, Elvis Shkambi, akuzohen për vrasjen e gjyqtarit
Elvis Shkambi nuk kishte bërë ankim për masën e sigurisë. Ankim kishte bërë Gjon Shkambi dhe Banush Koxhaj.
Vrasja ndodhi gjatë mesditës së 6 tetorit, menjëherë pasi Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin mbi një pronë të cilët e pretendonin Elvis dhe Gjon Shkambi.
Vendimi i marrë rezultoi në favor të palës tjetër dhe në atë moment 30-vjeçari, Elvis Shkambi nxorri armën dhe qëlloi tre herë drejt gjyqtarin.
Xhaxhai i tij, Gjon Shkambi e kishte paralajmëruar një tragjedi të tillë, ndërsa gjatë momentit të krimit mësohet se i është drejtuar nipit të tij me fjalët “na fike”.
Në dëshminë e dhënë, ka pretenduar se nuk ka patur asnjë dijeni mbi aktin që do të ndërmerrte nipi i tij.
Nga ana tjetër, roja i sigurisë Banush Koxha gjatë dëshmisë së tij, i pyetur pse nuk kishte reaguar pasi skaneri kishte sinjalizuar armën e zjarrit, u shpreh se kishte njoftuar personin përgjegjës se nuk ndihej mirë për shkak të diabetit dhe prandaj ishte ulur në karrige duke kërkuar zëvendësimin e tij gjatë punës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



