Gazeta Si – Deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në Prokurorinë e Posaçme, siç tha ai për t’u pyetur lidhur me ngjarjen e ndodhur gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit, ku dhunoi me grushte bashkë me të vëllain, shoferin e një kamioni në Bilisht për bllokimin e rrugës.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, deputeti demokrat tha se ishte thirrur si person në dijeni për këtë konflikt, ndërsa drejtoi sërish gishtin ndaj Niko Peleshit, duke thënë se konflikti ishte i stisur nga “Niko dhe çerrat e tij”.
“Erdha të inspektoj si janë kushtet. Sa i përket çështjes sime isha për të sqaruar situatën e konfliktit banal dhe të stisur nga Niko dhe çërrat e vetë në fushatë me synim cenimin e imazhit tim dhe cenimin e procesit zgjedhor. Kaq ishte e gjithë. U deklarova si person në dijeni”, tha Nallbati pasi la ambientet e SPAK. Nallbati dhe Peleshi janë drejtues politikë të partive të tyre në qarkun e Korçës.
Ngjarja ndodhi më 3 maj, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, ku deputeti i Berishës së bashku me të vëllain, Alti Nallbati konfliktohen me një shofer kamioni dhe më pas e qëllojnë me grushte.
Nallbati pretendoi se ishte një sulm politik, edhe pse në pamje shihej teksa, edhe në prezencë të policisë, ngjitet në shkallën e kamionit për të goditur shoferin.
Për këtë ngjarje u pranga u vu vëllai i tij, i cili më vonë u la në masën detyrim paraqitje. Deputeti, edhe pse ishte më agresivi, nuk u procedua.
Kjo është hera e dytë që Nallbati paraqitet në SPAK, pasi në nëntor të 2023-it u thirr për incidentin me deputetin e PS, Vullnet Sinaj me të cilin pati edhe përleshje fizike gjatë një seance plenare në Kuvend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


