Nga Gazeta ‘Si’– SPAK ka përfunduar hetimin ndaj kreut të bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli. Dosja penale ndaj kryebashkiakut socialist është depozituar në Gjykatën e Posaçme, ku SPAK kërkon gjykimin e tij për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”.
Shkreli u mor i pandehur për këtë vepër penale në ditët e para të tetorit, ndërsa hetimi ndaj tij nisi gjatë fushatës elektorale të përgjithshme të 11 majit, hetim i zhvilluar në gjendje të lirë për zyrtarin vendor.
Pak ditë pas zgjedhjeve, agjentët e BKH i sekuestruan atij aparatin telefonik celular, pas dyshimeve të përfshirjes së tij në krime zgjedhore.
Shkreli është përgjuar në komunikime telefonike tek kërkonte vota në këmbim të dy investimeve publikë, një rikonstruksion rruge në një zonë rurale dhe rregullimi i një linje energjie elektrike.
Nga hetimet e SPAK është evidentuar se Kristian Shkreli ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të PSD-së, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë.
Gjatë fushatës zgjedhore të majit 2025 ai u vu në qendër të kritikave, pas një komenti drejt tij nga kryeministri Edi Rama, që i tha “Kristian, mos luaj me dy porta, Kristian”, pas dyshimeve se po bënte fushatë për PSD-në e Tom Doshit dhe jo për PS.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



