Nga Gazeta ‘Si’- Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark është konfirmuar si dëshmitari i fundit në mbrojtjen e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale të Hagës.
Kërkesa për dhënien e dëshmisë së tij është paraqitur zyrtarisht. Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, ka siguruar edhe një leje të posaçme nga qeveria e SHBA-së që të japë dëshminë e tij në seancë.
Ish-gjenerali i NATO-s konsiderohet dëshmitari më i rëndësishëm dhe dëshmia e tij do të jetë kyçe pasi ai drejtoi fushatën 78 ditore të bombardimeve të aleancës kundër Serbisë. Kjo do të jetë dëshmia e dytë e ish-gjeneralit amerikan në një proces gjyqësor në Hagë që lidhet me konfliktet e armatosura në Ballkan. Në vitin 202 ai dëshmoi në gjyqin ndaj Sllobodan Millosheviç që akuzohej për krime lufte.
Ish-ushtaraku amerikan është dëshmitari i pestë me radhë i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. I pari që dëshmoi ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin. Pas tij dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje.
I treti ishte John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut dhe i katërti ishte Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.Mbrojtja për ish-presidentin Thaçi pritet që të përfundojë në muajin nëntor.
Fushata e drejtuar nga Clark detyroi ish-presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviç, të tërhiqte forcat serbe nga Kosova në qershor 1999, duke i hapur rrugë vendosjes së trupave të KFOR-it, mision i NATO-s, si dhe kthimit të refugjatëve.
Që nga 5 nëntori i vitit 2020, në paraburgimin e Hagës ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



