Nga Gazeta Si- Partia Demokratike ka rikthyer në komisione amendamentin për ndryshimin e gjendjes civile, ku kërkojnë që të shtohet një nen ku sanksionohet detyrimi për të pasur vetëm dy gjini: mashkull dhe femër dhe të mbetet e pandryshueshme gjinia e përcaktuar ligjërisht që në lindje.
Në Komisionin e Shëndetësisë, deputeti Tritan Shehu tha se PD kërkon përfshirjen në ligjin “Për gjendjen civile” të amendamentit që përcakton se “në Shqipëri njihen dy gjini – mashkull dhe femër – të identifikuara që në lindje”, për të mbrojtur identitetin e familjes.
“Ky është një nen i vogël në formë, por me përmbajtje që prek biologjinë, moralin, familjen dhe vetë kuptimin e jetës njerëzore”, tha Shehu, duke shtuar se shteti, nëpërmjet regjistrit civil, ka për detyrë të ruajë qartësinë e të dhënave që identifikojnë çdo qytetar.
“Nëse në certifikatat tona nuk përcaktohet qartë gjinia në momentin e lindjes, nëse ajo bëhet e ndryshueshme sipas perceptimit personal, atëherë bie themeli i identitetit ligjor. Nuk mund të ketë administratë të besueshme me identitete të paqarta. Mos-përcaktimi i gjinisë në lindje hap rrugën për absurditete që tashmë i shohim diku tjetër, ku prindërit në dokumente nuk quhen më nënë e baba, por “prindi 1”, “prindi 2”, madje edhe “prindi 3””, tha Shehu.
Nga ana tjetër, ishte Eduard Shalsi tha se ky ndryshim që kërkohet nga PD bie ndesh me konventat europiane që Shqipëria ka firmosur.
“Sot në pasaportën shqiptare e ke mashkull ose femër. Që të jemi të qartë, ju po kërkoni një ndryshim në gjendjen civile. Për çfarë po kërkonin këtë ndryshim? Bie ndesh siç e theksova më parë me konventat europiane që Shqipëria ka firmosur, me marrëveshjen asociim stabilizimit dhe me jurisprudencën e Gjykatës europiane për të drejtat e njeriut”, tha Shalsi.
Pas diskutimeve, antarët socialistë në komisionin e Shëndetësisë votuan kundër dhe drafti nuk kaloi as në parim, duke kaluar për diskutim në seancë plenare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



