Kosova

‘Hendeku ushtarak mes Kosovës dhe Serbisë rrezikon stabilitetin në veri’

Nga Gazeta ‘Si’- Një raport britanik, i përgatitur në kuadër të Procesit të Berlinit, ka ngritur paqartësi mbi gatishmërinë e misionit të NATO-s dhe KFOR-it, në rast të një sulmi të mundshëm në veri të Kosovës.

Sipas raportit, i cili është i përgatitur nga ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, ekziston një hendek i madh ushtarak dhe financiar mes Kosovës dhe Serbisë, në favor të kësaj të fundit.

“Ndërkohë që trupat e KFOR-it nën udhëheqjen e NATO-s ofrojnë një masë shtesë mbrojtëse, ekziston një paqartësi strategjike se sa efektivisht do të përgjigjej misioni në rast të një pushtimi territorial të Mitrovicës Veriore nga Serbia, e mbështetur nga Rusia”, thuhet në raport.

Raporti thekson se Kosova nuk është anëtare e NATO-s dhe për këtë arsye nuk mbulohet nga Neni V i Traktatit.

Për më tepër, thotë se “KFOR-i nuk pengon aktivitetet e ndikimit nën prag, si ndërhyrjet elektorale nga Serbia përmes përkrahjes aktive të Listës Serbe në Kosovë”.

Po ashtu, në raport përmenden blerjet e armëve që ka bërë Qeveria e Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, i shpallur më pas hero nga institucionet e Kosovës.

“Qeveria e Prishtinës ka ndërmarrë një blerje masive të armëve si përgjigje ndaj kërcënimit të identifikuar, duke blerë raketa Javelin dhe lansues amerikanë me vlerë 72 milionë dollarë, dronë turq Bayraktar dhe pajisje të tjera ushtarake të rëndësishme. Eksportet e tilla nga SHBA nuk do të ishin lejuar po të mos ishte perceptimi i Pentagonit për kërcënimin potencial ndaj Kosovës”.

Gjithashtu, theksohet edhe marrëveshja ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

“Në gusht 2025, Kosova nënshkroi një marrëveshje për blerje të përbashkët me Shqipërinë dhe Kroacinë, për të siguruar oferta më të mira nga tregtarët perëndimorë të armëve dhe municionit. Në shtator, Kosova njoftoi se kishte alokuar 1.1 miliard dollarë për zhvillimin e industrisë së brendshme të dronëve dhe për modernizimin e ushtrisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë