Gazeta Si – SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim avokatin Armand Tragaj dhe 5 të pandehur të tjerë, të akuzuar si të përfshirë për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në kuadër të operacionit “Ura” që u zhvillua në maj së bashku me autoritetet italiane.
Në gjyq janë dërguar avokati Armand Tragaj, Edison Cukaj (Gjoka), Serxhio Shkodra, Ervis Deti, Bexhed Mema dhe Naim Behluli, ky i fundit punonjës policie në Portin e Durrësit që akuzohet për shpërdorim detyre.
SPAK thotë se çështja për këta të pandehur është e ndarë nga personat e tjerë që janë goditur nga ky operacion, dhe rezulton se janë përfshirë në disa episode korruptive.
Avokati Armand Tragaj akuzohet se ka komunikuar nëpërmjet “SkyEcc” dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarët e lartë për të ndikuar në favor të klientëve të tij.
Sipas organit të akuzës, bëhet fjalë për 4 episode korruptive të kryera nga avokati Tragaj, ndaj të cilit rëndojnë veprat penale ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, dhe korrupsion aktiv.
Edison Cukaj (Gjoka), sipas Prokurorisë së Posaçme, i cili u ekstradua nga Italia më 10 gusht, akuzohet se i ka dhënë një shumë prej 3 mijë eurosh Ervis Detit, Serxhio Shkodrës dhe Bexhed Mema në mënyrë që të ndikonin te punonjësi në portin e Durrësit, Naim Behluli për të shkuar drejt Italisë.
Në dosje zbardheshin bisedat Edison Gjokës dhe Ervis Detit për të mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme drejt Italisë.
Ndërkohë SPAK vijon hetimet për pjesën tjetër të grupit të goditur nga ky operacion dhe që akuzohet për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



