Gazeta Si – Apeli i GJKKO-së ka urdhëruar SPAK që të nisë hetimet për kryebashkiaken socialiste të Lushnjës, Eriselda Sefa.
Zyrtarisht prej 30 shtatorit, drejtuesja e bashkisë është e kallëzuar nga një qytetar nga Lushnja për falsifikim dokumentash dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
SPAK ishte shprehur për pushimin e çështjes, duke marrë edhe aprovimin e Shkallës së Parë, por qytetari me inicialet A.H., ka insistuar në Apel përmes ankimit që Sefa duhet të hetohet.
Sipas kallëzuesit, Sefa ka kryer shkelje në procedurën e ndjekur për dhënien me qira të një pasurie publike në qendër të qytetit, ku pretendon se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nga ajo dhe Këshilli Bashkiak Lushnje.
Kallëzuesi pretendon se ka pasur falsifikime në shkresa si dhe mbi procesverbale të dëgjesave publike ashtu edhe në projektin për miratimin e dhënies me qera të një ambienti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.
Rasti i dytë që denoncohet është mbi veprimet e Sefës, kur SPAK i kërkoi praktikën e ndjekur për këtë çështje. Kryebashkiakja dyshohet se ka kryer “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” pasi nuk ia ka dërguar të plotë organit të procedurës materialin dhe kallëzuesi pretendon se kjo është bërë qëllimisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



