Drejtësia

Reforma në Drejtësi, kreu i Gjykatës së Lartë: Nuk ka dështuar, vullneti politik i rëndësishëm

Gazeta Si – Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi mbajti një fjalim të fortë me kritika ndaj politikës sa i takon ecurisë së Reformës në Drejtësi.

Gjatë fjalës së tij në 30-vjetorin e anëtarësimit të vendit në Këshillin e Europës dhe 35-vjetorin e marrëdhënieve me Komisionin e Venecias, ai theksoi se “Reforma në drejtësi nuk ka dështuar. Ajo është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm dhe ndershmëri me të cilën u ndërtua”.

Sipas tij, “ajo lindi nga konsensusi më i gjerë politik në historinë e pluralizmit shqiptar, me 140 vota ‘pro’ dhe me dakordësinë e plotë të Komisionit të Venecias, që u bë garancia ndërkombëtare e legjitimitetit të saj”.

Sadushi vuri në dukje se reforma nuk është një projekt vetëm i drejtësisë, por një sfidë kombëtare që përfshin politikën, administratën dhe çdo institucion që mban përgjegjësi ndaj qytetarit.

“Reformimi nuk është vetëm detyrë e drejtësisë, por edhe e politikës, e administratës dhe e çdo institucioni që mban përgjegjësi ndaj qytetarit. Është vetë politika ajo që duhet të tregojë ndryshim dhe përgjegjshmëri, sepse vetëm një politikë e pjekur dhe një drejtësi me integritet mund të garantojnë së bashku një sistem të qëndrueshëm dhe të pavarur”.

Sipas tij drejtësia shqiptare duhet të hyjë në fazën e vetëpërmirësimit dhe të konsolidimit, duke e çliruar veten nga “kompleksi i reformave” dhe duke fituar besimin përmes sjelljes dhe vendimeve të ndershme.

Sadushi theksoi rolin vendimtar të Komisionit të Venecias në hartimin dhe zbatimin e reformave të mëdha kushtetuese dhe ligjore në vend.

“Komisioni i Venecias ka bashkëpunuar me institucionet shqiptare për reforma të mëdha në vend. Bashkëpunimi me Venecian ka ndihmuar drejtësinë shqiptare që të bëhet sa më evropiane”, u shpreh ai.

Megjithatë, kreu i Gjykatës së Lartë pranoi se sistemi gjyqësor shqiptar ende përballet me sfida të mëdha, veçanërisht në drejtim të ngarkesës së madhe me dosje. “Problemi kryesor mbetet volumi i lartë i dosjeve, që rëndon punën e gjyqtarëve dhe zvarrit proceset”, tha ai.

Një tjetër element thelbësor, sipas Sadushit, është cilësia dhe përzgjedhja e magjistratëve. “E rëndësishme është edhe zgjedhja e magjistratëve, që duhet të kenë profesionalizëm dhe vizion”, deklaroi ai, duke theksuar nevojën për një brez të ri juristësh të përgatitur dhe të pavarur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë