Gazeta Si – ILD ka nisur verifikimet në Prokurorinë e Elbasanit në lidhje me arrestimin e avokatit Ulian Bajrami.
Mëngjesin e të hënës, 20 tetor, një ekip inspektimi ka shkuar në Elbasan për një verifikim me iniciativë, pas bërjes publike të prangosjes së avokatit.
“Përshëndetje kolegë, Do doja të saktësoja informacionin që po publikohet sot bazuar në interesimin e disave prej jush për rastin e Elbasanit. Dje, që në mëngjes, një ekip inspektimi ishte në Elbasan, bazuar në vendimin e ILD për verifikim me iniciativë të rastit nga informacionet e bëra publike”, njofton zyra e shtypit e ILD, e cila sqaron më tej se “për ILD ky është një proces normal pune, siç ndodh me çdo rast kur nis verifikim me iniciativë”.
Sipas ILD-së “meqë është çështje me ndjeshmëri publike, do ketë një njoftim sapo të përfundojë si proces, siç kemi bërë edhe në të kaluarën”.
Më herët, kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia kritikoi institucionet e drejtësisë për arrestimin e avokatit Ulian Barjami në Elbasan nën pretendimin se kishte kërcënuar prokurorin Gjergj Cuka gjatë seancës gjyqësore.
Haxhia shprehu zhgënjimin për mos-reagimin nga ana e KLP dhe KLGJ për rastin dhe tha se duhet rishikuar veprimtaria e këtyre organeve.
“Jam i keqardhur që KLGJ apo KLP nuk kanë marrë asnjë kontakt edhe pse i kemi vënë në dijeni në mënyrë zyrtare. Kjo tregon inaktivitetin e këtyre organeve të cilat duhen riparë. U bëj thirrje atyre që po merren me Reformën në Drejtësi që të rishikojnë institucionet përbërëse të saj”- tha Haxhia.
“Kupa është mbushur”- vijoi ai më tej duke deklaruar se në rast përsëritje të këtyre sjelljeve ndaj avokatëve, do të ketë një bojkot që mund të zgjasë me muaj.
“Klientët na kanë mbështetur. Shtyrja e seancës nuk i rëndon pozitat e tyre. Unë jam një votë në strukturën e Dhomës. Po them vetëm kaq, kupa është mbushur dhe nëse do ketë një rast tjetër të tillë nga pushteti gjyqësor ju garantoj se do të braktisim të gjithë proceset dhe jo për një një ditë apo një javë, por për muaj”- shtoi kreu i Dhomës së Avokatisë.
Në cilësinë e kryetarit, Haxhia sqaroi misionin dhe qëllimin e bojkotit, duke theksuar se avokatia është një komunitet që funksionon mbi bazën e strukturave dhe mendimet e secilit janë të lira e të pakundërshtueshme. Ai falënderoi kolegët për respektimin e rregullave të bojkotit në mënyrë strikte dhe rigoroze.
Pavarësisht se Barjami u lirua mbrëmjen e djeshme, bojkoti i paralajmëruar nga avokatët ka vijuar edhe sot dhe do të vazhdojë deri më datë 25 tetor.
Avokati Ulian Bajrami u arrestua pas akuzave se kishte kërcënuar prokurorin e Elbasanit, Gjergj Cekën në Gjykatën e Elbasanit.
Sipas raportimeve, gjatë seancës dhe teksa po kundërshtonte provat e prokurorit, Bajrami i tha prokurorit se “do të merrem personalisht me prokurorin dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore”.
Avokati u lirua të hënën (20 tetor), pasi prokuroria e Elbasanit u shpreh se arrestimi i tij ishte i paligjshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



