Motosport

Rihapet F1 – 5 gara – 4 pilotë – 1 titull

Nga Gazeta Si – Max Verstappen siguroi fitoren e pestë të sezonit në “Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara”, duke dominuar garën dhe duke e shndërruar “pole position” në një triumf të bindshëm.

Piloti i Red Bull-it la pas Lando Norris dhe Charles Leclerc, që zhvilluan një duel emocionues për vendin e dytë.

Fillimi i garës ishte perfekt për Verstappen, i cili ruajti kryesimin që në kthesën e parë, ndërsa pjesa tjetër e rivalëve kaloi pa incidentet që karakterizuan Sprint-in e së shtunës.

Në fillim kishte pasiguri për strategjinë në box-e, por pothuajse të gjithë pilotët zgjodhën një strategji me një ndalesë, e cila funksionoi në mënyrë të përkryer për kampionin nëfuqi.

Edhe pse në fund u desh të kujdesej për gomat e buta, holandezi kaloi vijën e finishit me 7.959 sekonda epërsi, duke vulosur një tjetër fitore të pastër.

Pas tij, Norris dhe Leclerc zhvilluan një duel të fortë. Fillimisht, Leclerc kaloi Norris në start, por në xhirot e fundit, piloti i McLaren-it arriti të kryejë një parakalim të vendosur për të marrë vendin e dytë, ndërsa Leclerc u mjaftua me ngjitjen në podium.

Lewis Hamilton i dha Ferrarit pikë të vlefshme me vendin e katërt, edhe pse në xhiron e fundit duket se pësoi një shpim të gomës. Lideri aktual i kampionatit, Oscar Piastri, mbylli një fundjavë të vështirë në vendin e pestë.

George Russell në bordin e Mercedes përfundoi në vendin e gjashtë, përpara Yuki Tsunodës (Red Bull) dhe Nico Hulkenbergut (Kick Sauber).

Piloti i Haas, Ollie Bearman, arriti të marrë pikë në tokën amerikane me vendin e nëntë, ndërsa Fernando Alonso (Aston Martin) plotësoi dhjetëshen më të mire dhe zonën e pikëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë