Gazeta Si – Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë, ka njoftuar se duke nisur nga sot e deri më datën 25 tetor, të gjitha seancat e proceseve penale, përfshirë edhe ato në Gjykatën Kushtetuese, do të bojkotohen të gjitha.
Nga bojkoti përjashtohen seancat me objekt caktimi, ndryshimi apo zëvendësimin e masave të sigurisë.
Vendimi vjen pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami, i cili pati një përplasje në sallën e gjyqit me prokurorin e Elbasanit, Gjergj Ceka gjatë seancës së caktimit të masave për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në Elbasan, ku disa prej tyre u kapën me armë zjarri.

Mes të arrestuarve ishte edhe Maksim Suçi, klienti i avokatit Barjami. Sipas audios së publikuar, Barjami dëgjohet teksa i cilëson provat e rreme dhe thotë se do të merren personalisht me oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorin Ceka. Ky i fundit e ka konsideruar këtë si kërcënim dhe ka kërkuar arrestimin e tij.
Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë e ka cilësuar ndalimin si të pajustifikueshëm dhe të rrezikshëm për pavarësinë e profesionit të avokatit. Sipas deklaratës zyrtare, avokati në fjalë kishte paralajmëruar prokurorin për një kallëzim penal, duke e akuzuar për manipulim të provave në dëm të klientit që ai përfaqësonte.
Shoqata thekson se ky veprim është pjesë legjitime e ushtrimit të detyrës dhe se arrestimi përbën një shkelje të rëndë të të drejtave kushtetuese dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Arrestimi i një avokati për shkak të ushtrimit të detyrës është një akt i papranueshëm, që dëmton seriozisht besimin e publikut tek drejtësia dhe cënon ekuilibrin e procesit të rregullt ligjor”, thuhet në deklaratën e Shoqatës, e cila kërkon lirimin e menjëhershëm të avokatit, hetim të pavarur mbi ngjarjen dhe masa disiplinore ndaj çdo zyrtari që ka keqpërdorur detyrën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



