Drejtësia

Gjykata e Lartë i refuzon lirinë Ilir Metës

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka lënë në qeli Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Metën, duke mos pranuar rekursin e tij kundër Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Ish-presidenti, që qëndron në qeli prej një viti, i kërkoi Gjykatës së Lartë të shfuqizojë vendimet e Shkallës së Parë dhe Apelit të Posaçëm, që refuzuan lirimin e tij.

Kjo është hera e dytë që Gjykata e Lartë e rrëzon një kërkesë të tillë të kryetarit të Partisë së Lirisë, i cili ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.

Në 29 gusht, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet dhe çoi për gjykim dosjen Meta-Kryemadhi, ndërsa më 19 shtator, Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Metën, i cili kishte kërkuar të lirohej nga qelia.

Dosja ndaj Metës dhe të bashkëpandehurve të tjerë, ku ish-presidenti akuzohet për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, ndodhet në fazën e shqyrtimit paraprak në Gjykatën e Posaçme. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë