Drejtësia

Vrasja e Ramazan Matajt, Prokuroria e Shkodrës çon për gjykim 2 vëllezërit

Gazeta Si – Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim këtë të enjte, 16 tetor, dy vëllezërit e akuzuar për vrasjen e Ramazan Matajt, ngjarje e ndodhur në 5 janar 2025.

Ndaj dy vëllezërve rëndojnë akuzat për veprat penale ‘vrasja me paramendim’, e kryer në bashkëpunim, ‘mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyee dhe municionit’, ‘prishja e qetësisë publike’, ‘sigurimi i kushteve për të kryer vrasje’ dhe ‘veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’.

Dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj, u arrestuan më datë 6 janar 2025, ku para grupit hetimor kanë pranuar vrasjen e Ramazan Mataj, pasi viktima sipas tyre ka pasur lidhje dashurie me të motrën, ku si shkak i kësaj lidhje është divorcuar dhe ka pasur problem familjare.

Ramazan Mataj u vra në automjetin e tij, në vendin e quajtur “Dragoç” njësia administrative Postribë, Bashkia Shkodër.

Më herët, Arjon Hasaj ka pranuar vrasjen para grupit hetimor, duke thënë se 33-vjeçarin Mataj e vrau për shkak se sipas tij, i kishte shkatërruar 2 martesa motrës së tij.

Ngjarja që tronditi Shkodrën ndodhi mëngjesin e 5 janarit, ku trupi i Ramazan Matajt u gjet në makinë nga banorë të lagjes.

Nga dëshmia e autorëve, 33-vjeçarit i ishtë ngritur kurth me anë të një profili të rremë të një vajze. Mataj u nxorr në prit, ku u qëllua me 9 plumba brenda makinës së tij.

Ndërkohë kamerat e sigurisë kanë kapur momentin ku autorët ikën nga vendi i ngjarjes me biçikletë, ndërsa armën e kishin groposur afër banesës së tyre.

Konflikti i tyre kishte nisur prej vitesh. Dyshohet se motra e autorëve ka qenë në lidhje jashtëmartesore me viktimën. Sipas dëshmisë së autorëve, Ramazan Mataj kishte ndikuar në prishjen e dy martesave të motrës, duke publikuar video intime.

Në makinë, policia i gjeti viktimës dy celularë, njëri prej të cilëve pa kartë, ku hetuesit gjetën mesazhe që vëllezërit Hasaj i kishin dërguar atij për ta nxjerrë në pritë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë