Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq, Klinton e Sulejman Sina, 21 dhe 31 vjeç (vëllezër), Idajet Mashollari, 21 vjeç, Bajram Ibraliu 57 vjeç dhe Nikoleta Begolli 32 vjeçe, të akuzuar për rrëmbimin dhe mbajtjen peng me qëllim për t’i marrë para në shkëmbim të lirisë, 68-vjeçarin Edvar Agalliun.
Në ngjarjen që ndodhi në prill të këtij viti, ka qenë bashkëshortja e Edvar Agalliut, ajo e cila ka denoncuar në polici rrëmbimin e tij, pasi është telefonuar nga shantazhuesit, të cilët i kërkuan shumën prej 2 milionë lekë (të reja) për të mos i vrarë bashkëshortin.
Agalliu është rrëmbyer në afërsi të shkollës pedagogjike të Tiranës, teksa ishte në prani të Nikoleta Begollit.
Në atë moment, një automjet tip Golf është afruar dhe ka marrë me dhunë 68-vjeçarin, duke e çuar në drejtim të fshatit Kakunjë, ku e kanë izoluar në një banesë të braktisur për 5 orë.
Autorët e kanë kërcënuar të moshuarin duke i thënë se nëse bashkëshortja e tij nuk sjell shumën e kërkuar, aa do t’i dërgonin asaj fotot e Agalliut me Nikleta Begollin, për t’i shkatërruar familjen dhe më pas do e vrisnin.
Bashkëshortja e 68-vjeçarit i ka dorëzuar shumën e kërkuar Bajram Ibraliut në zonën e Saukut, skenë e cila ka qenë e gjitha nën mbikëqyrjen e policisë, e cila ka ndërhyrë, duke liruar të moshuarin dhe vënë në pranga autorët.
Në bazë të Kodit Penal, për këtë vepër parashikohet dënim nga 10 deri në 20 vjet burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



