Gazeta Si – Prokuroria e Korçës po heton avokatin Arben Lena, pasi dyshohet se gjatë periudhës 2020-2022, ka tërhequr shuma parash nga llogaria bankare e një 70-vjeçari, i cili aktualisht është i burgosur në burgun e Shënkollit.
Avokati Lena është denoncuar nga 70-vjeçari, i cili i ka dorëzuar avokatit një prokurë duke i dhënë akses në llogarinë e tij bankare për llogari të çështjes së tij gjyqësore.
Ai ka përfituar nga kjo situatë dhe i ka marrë nga llogaria të burgosurit shuma parash, ndërsa ende nuk dihet se për çfarë vlere bëhet fjalë.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori, për shtetasin A. L., 56 vjeç, me profesion avokat, aktualisht me masë sigurie “Arrest në burg”, pasi dyshohet se gjatë periudhës 2020-2022, ka tërhequr shuma parash nga llogaria bankare e një 70-vjeçari (aktualisht në IEVP Shënkoll), duke përdorur prokurorën që ia ka marrë duke shfrytëzuar besimin dhe gjendjen shëndetësore të tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Më herët, Arben Lena, në cilësinë e avokatit, është dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit, pasi në bashkëpunim me një tjetër person tentoi të korruptontë një gjyqtar me 5 mijë euro. Ai është liruar nga qelia në maj të këtij viti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



