Gazeta Si – Me kërkesë të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Europiane e Gjyqtarëve, shoqata më e madhe në Europë e gjyqtarëve, ka miratuar një rezolutë në mbështetje të trupës gjyqësore pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Në rezolutë thuhet se pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të sigurojë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e gjyqtarëve kur rrezikohen nga sulme fizike apo kërcënime.
“Pushtetet ekzekutive dhe legjislative kanë detyrimin të sigurojnë të gjitha masat e nevojshme dhe të përshtatshme të mbrojtjes kur funksionet e gjykatave rrezikohen nga sulme fizike ose kërcënime të drejtuara ndaj anëtarëve të gjyqësorit”, thuhet në rezolutë.
Më tej në rezolutë i bëhet thirrje qeverisë që të ndalen kritikat ndaj gjyqtarëve, referuar këtu edhe postimeve të kryeministrit Rama që ka shprehur jo pak kritika për vendimet për lirimin e hapësirave publike.
Rezoluta u miratua unanimisht me kërkesë të Unionit, i cili u përfaqësua nga Gerd Hoxha dhe Genti Dokollari, në takimin vjetor të Shoqatës Ndërkombëtare të Gjyqtarëve, pjesë e së cilës është edhe EAJ, që po mbahet në Baku, Azerbajxhan, nga data 11 deri më 17 tetor.
Sipas Hoxhës, kjo rezolutë është shenjë e respektit të lartë për kolegun e ndjerë, z. Astrit Kalaja, dhe për të gjithë gjyqtarët shqiptarë, si dhe një mbështetje e fortë për gjithë trupën gjyqësore në veçanti dhe punonjësit e drejtësisë në përgjithësi, për ta çuar më tej përkushtimin tonë në dhënien e drejtësisë.
“Kjo rezolutë,” u shpreh Hoxha, “është një thirrje për reflektim serioz dhe të menjëhershëm të organeve shtetërore, që kanë detyrë kushtetuese dhe ligjore të sigurojnë një klimë normale pune dhe sigurinë e gjyqtarëve, si gur themeli për një drejtësi të pavarur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



