Nga Gazeta ‘Si’- SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar 65.5 milionë euro pasuri të krimit gjatë vitit 2024. Kjo shifër është 60% më shumë se në vitin 2023.
Shifrat u bënë të ditura nga kreu i SPAK Altin Dumani, i cili raportoi në mbledhjen e përbashkët të komisioneve parlamentare të Ligjeve dhe për Nismat Qytetare.
Sipas Dumanit, nga 65.5 milionë euro, 28.7 milionë euro janë të sekuestruara kurse 36.7 milionë euro janë të konfiskuara.
Kreu i SPAK theksoi se gjatë vitit 2024, hetimet kundër pastrimit të parave janë rritur me me 34% në raport me vitin 2023, ndërsa në krahasim me vitin 2023 këto procedime janë trefishuar.
Altin Dumani evidentoi se 45.8% e pasurive të sekuestruara u përkasin zyrtarëve të lartë.
Një tjetër aspekt kyç i raportimit ishte përmirësimi i strukturës dhe kapaciteteve të SPAK.
Dumani theksoi se për të përmbushur rekomandimet e BE-së për rritjen e dënimeve për korrupsion, institucioni ka rritur numrin e prokurorëve, si dhe ka intensifikuar trajnimet dhe specializimet e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Po ashtu, janë rritur numrat e personave të hetuar, megjithatë, Dumani vuri re një ulje prej 15% të numrit të procedimeve të regjistruara, një ndodhi që lidhet me kompleksitetin e çështjeve afatgjata dhe të ndërlikuara.
Sa i përket luftës ndaj korrupsionit, Dumani zbuloi se janë proceduar 33 ish-zyrtarë të lartë, nga të cilët 19 janë dërguar për gjykim dhe 10 të tjerë kanë marrë dënim të formës së prerë.
Ai tha se SPAK ka evidentuar 16 grupeve kriminale shqiptare që veprojnë në disa vende të botës. Dumani theksoi se kanë evidentuar 16 grupeve kriminale shqiptare të përfshirë në trafikun e kokainës dhe kanabisit.
Sipas tij, kokainën e blejnë në Amerikën Latine dhe ushtrojnë veprimtari në disa shtete të BE-së.
Dumani vuri në dukje se këto grupe janë aktive në Shqipëri në qarqet Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan e Kukës.
Sipas Dumanit, 10 prej këtyre grupeve kriminale janë goditur.
“Janë aktive në disa shtete të BE, si Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Norvegji. Këto grupe blejnë kokainë në Amerikën Latine. Grupet janë të përfshirë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimin kibernetik. Gjatë 2024 janë identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë, nga të cilat 10 janë provuar në gjykatë për aktivitetin e tyre.
Karakterizohen nga strukturë hierarkike, përdorimi i komunikimeve të koduara, dhe pastrimi i parave. Janë aktive në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë”, tha ndër të tjera Dumani.
Dumani tha se SPAK përballet me presione mediatike, politike, por edhe nga krimi i organizuar.
“Doja të veçoja presionin e jashtëm nga aktorë politikë, mediatikë, dhe krimi i organizuar që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve, duke kërkuar një reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese”, theksoi Dumani.
Më tej, Dumani tha se mungesa e paqartë ligjore lidhur me statusin e prokurorit krijon pasiguri dhe mund të cenojë vijimin e hetimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



