Gazeta Si – Me tone kritike ka raportuar këtë të martë në Komisionin e Ligjeve, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, në lidhje me draftin për Ndryshimet në Kodin Penal.
Ai u shpreh kundër, pasi sipas tij, nuk është kjo nevoja urgjente dhe se kodi aktual nuk ka problematika të mëdha, por se kërkon vetëm një risistemim.
Ai tha se problemi më i madh, është kodi i procedurës penale dhe mënyra e zbatimit të tij. “Mënyra e organizmit sot në Prokurori, decentralizimi, ka krijuar keqkuptim në nivelin organizativ dhe këto nuk i zgjidh dot ILD. Sot sistemi ka shumë nevoja, për rritjen e cilësisë së ligjeve që operojnë institucionet”.
“Në pikëpamjen time , – shpjegoi Olsian Çela, – ka pasur nevojë për përmirësim aty ku është e mundur. Të ndryshosh bazat e aplikimit të Kodit Penal është një proces aspak i lehtë dhe kjo e bën dhënien e opinionit shumë delikat. Pse? Kodet i bëjnë profesorët pasi dëgjojnë nevojat e praktikantëve, por pasi shikojnë tendencat e shoqërisë. Kjo punë kërkon kohë he jashtëzakonsisht kujdes për procesin. Nëse ne mendojmë se duke bërë konsultime publike, pra duke mbledhur prokurorë në secilin rreth për 2 orë do arrijmë të kemi nëj produkt që vjen si rrjedhojë e konsultimit të gjerë publik, atëherë më vjen keq, por ky është thjesht justifikim”,- tha kreu i organit të akuzës.
Çela ka shprehur kritika edhe ndaj prokurorëve të Shkallës së Parë, teksa u shpreh se ankohen në ambasada për veprimet e Apelit.
“Kemi raste ku prokurorët e Shkallës së Parë ankohen për vendime të Apelit, kemi arritur në një ditë ku prokurorët vendosin në diskutim atë që vendos Apeli, – vijoi kryeprokurori. – Bëjnë letër, i drejtohen institucioneve e ambasadave ku ngrenë çështje që kanë të bëjnë me ligjshmërinë e gjykatave te apelit. Është e papranueshme e pa konceptueshme! Kjo ndodh sepse është ngritur një sistem ku prokurorët, sidomos ata të rinj, nuk kuptojnë vendin dhe pozicionin e prokurorit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



