Gazeta Si – Gjatë raportimit vjetor në Kuvend për kriminalitetin në vend, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, ka deklaruar se brenda një viti janë adresuar më shumë se 61 mijë çështje në organin e akuzës.
Para së gjithash, ai u ndal te masat shtrënguese të sigurisë, teksa tha se ka një tendencë për masa më ekstreme të kërkuara nga prokurorët dhe të miratuara nga gjykatat.
Por, kryeprokurori nënvizoi se pavarësisht një udhëzimi të miratuar në vitin e kaluar, ende nuk ka një reflektim.
“Janë paraqitur në gjykatë 13.062 kërkesa për sigurimin personal. Të dhënat mbi kërkesat e prokurorëve për masat e sigurimit tregojnë se në 2024, rreth 60% të të pandehurve ose për 34 të personave në hetim, është kërkuar masë sigurimi shtrënguese. Rezulton se 59.5% të kërkesave lidhet me caktimin e masës me arrest, të kërkuara për thuaj 36% të të pandehurve të regjistuar ose 20% të personave në hetim në total, – tha ai. – Në 2023, është kërkuar masa sigurimi shtrënguese për mbi 55% të të pandehurve të regjistruar ose 32% të personave në hetim. Rreth 59.3% e kërkesave lidhet me caktimin e masës me arrest, e kërkuar për 32.8% të të pandehurve ose për 19% për ata në hetim. Vetëm në 31 raste në total është kërkuar masa e garancisë pasurore. Ndërkohë që është kërkuar arresti me burg ndaj 3.078 personave dhe detyrim paraqitje ndaj 2.611 personave. Ka një tendencë për përdorimin e masave më ekstreme nga prokuroritë dhe gjykatat. Nisur nga këto të dhëna, u miratua në korrik 2024 një udhëzim për masat e sigurimit. Megjithatë, me gjithë këtë udhëzim, ende nuk ka reflektim nga ana e prokurorëve”, tha Çela.
Para deputetëve në mbledhjen e përbashkët të dy komisioneve, ai theksoi se qarku me koefiçentin më të lartë të kriminalitetit, rezulton Saranda.
“Koefiçenti i kriminaliteti për 100 mijë banorë është 1.097, ndërkohë që në vitin 2023, ka qenë 872. Përqindjen më të ulët e ka qarku i Beratit dhe më të lartin e ka pasur Saranda”, – u shpreh Çela.
Sipas tij, në institucionin që ai drejton janë trajtuar 61.167 materiale, rritje 10.52% në krahasim me 1 vit më parë.
“Mbi 47 mijë procedime penale janë ndjekur, 4.79% rritje krahasuar me 2023-in, nga të cilat mbi 24 mijë janë procedime të regjistruara penale. 22.441 janë procedime të mbartura dhe 179 janë të rifilluara. Numri më i madh i procedimeve rezulton në Prokurorinë Tiranë, rreth 35.5% të totalit, ndërsa me numrin më të ulët mbeten Dibra dhe Kukësi, diku rreth 2.5%”.
Ai theksoi se ka një rritje të numrit të procedimeve për krimet kundër jetës të kryera me dashje, me 21.7%. I njëjti fenomen me krimet seksuale dhe veprat penale kundër fëmijëve.
Ndërkohë Prokurori Çela deklaroi se se gjatë 2024, 2159 persona të përgjuar, nga të cilët 933 me autorizim nga gjykata.
“Gjatë 2024 janë ekzekutuar 933 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake dhe 538 autorizime dhe urdhra të prokurorit. Është mundësuar interceptimi për 2361 pajisje fundore në përdorim të 2159 personave të dyshuar si të përfshirë ne vepra penale”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



