Nga Gazeta Si- 11 persona të cilët vodhën naftën nga anija me flamur tunizian AYA ZANOYBYA e ankoruar në Porto Romano të Durrësit, janë dërguar për gjykim pasi SPAK mbylli dosjen ndaj tyre.
Sipas dosjes hetimore, ka rezultuar se nga anija e ankoruar, ishte planifikuar dhe realizuar vjedhja dhe kontrabandimi i 200 tonëve naftë.
SPAK thotë se Juxhin Koka, në bashkëpunim me Mohammad Sallit, me detyrë kapiten i anijes, Nedio Mejdani, oficer i parë i anijes, dhe Hasan Broud, Sami Shanata, Faez Ismaeil, Wissam Rostom, marinarë të anijes realizuan të gjithë veprimtarinë kriminale.
Sipas hetimeve, Juxhin Koka dhe Drilon Malluta, i ofruan 10.000 euro punonjësit të policisë Armand Marvataj, që kishte për detyrë të ruante anijen e sekuestruar në Porto Romano, me qëllim që të lejonte nxjerrjen e sasisë së naftës së sekuestruar nga anija.
Shuma e parave që polici kishte marrë ryshfet, u gjet dhe sekuestrua në banesën e tij.
Nafta kontrabandë u nxorr nga anija më datë 27 janar 2025, në bashkëpunim me ekuipazhin e anijes, Samir Bayoumy, inxhinier i tretë dhe përgjegjës teknik i anijes, marinarët, Hasan Broud, Sami Shanata, Faez Ismaeil, Wissam Rostom dhe Abdoulmohaimen Shanata.
Anija “AYA ZANOYBYA” dhe nafta e kontrabanduar janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



