Drejtësia

Shkodër, i sekuestrohet banesa të dënuarit për drogë në SHBA dhe Itali me 4 emra

Gazeta Si – Një apartament me sipërfaqe 103.4 m² në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër, është sekuestruar nga Prokuroria e Shkodrës, pasi dyshohet se është përdorur për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në një njoftim, Prokuroria thotë se në bazë të hetimeve, personi L. M., (alias L. K alias L.K alias L.M), në bashkëpunim me J.N., (femër) dyshohet se kanë konsumuar veprën penale për ‘Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Saktësisht, kjo e fundit, ka blerë pronën tashmë të sekuestruar me para të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale dhe të transferuara nga L. M. Gjithashtu L. M., nuk rezulton të ketë burime të ligjshme të të ardhurave që të justifikojnë investimin.

L. M., rezulton i dënuar dhe në SHBA për vepra penale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, si dhe i shpallur në kërkim nga Interpol Roma dhe i dënuar me 25 vjet burg për veprat penale të “Organizatë kriminale, drogë, pengmarrje, heqje e paligjshme e lirisë dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës së sekuestros preventive, me qëllim parandalimin e tjetërsimit të pasurisë dhe ruajtjen e saj për konfiskim të mundshëm në përfundim të procesit penal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë