Arsim

Të rinjtë ende e shohin artin si profesion / Kanto, aktrimi dhe multimedia, degët e preferuara

Nga Liridon Mulaj– Universiteti i Arteve ka përmbyllur dy fazat e para të konkurseve për Ciklin e parë Bachelor. Interesi më i madh këtë vit mbetet në programet dhe degët që lidhen ngushtë me kërkesat e tregut dhe vizibilitetin e lartë publik që ato ofrojnë si Kanto, Multimedia, Regji dhe Aktrim.

Në një intervistë për GazetaSi.al, zv/rektori i Universitetit të Arteve, Dorian Çene, flet për ecurinë e konkurseve, rritjen e interesit të të rinjve për artin dhe mundësitë që hapen për studentët përmes bashkëpunimeve me institucionet kulturore brenda dhe jashtë vendit. Krahasuar me vitin e shkuar, sipas profesorit Çene, ka pasur një rritje të regjistrimeve të studentëve në arte.

“Aktualisht në Universitetin e Arteve kanë përfunduar dy fazat e para të konkurseve për Ciklin I Bachelor, ndërkohë që pritet të mbahet faza e tretë për ato programe studimi që kanë ende kuota të paplotësuara. Në total, për dy fazat e para, janë regjistruar 168 studentë pasi kanë rezultuar fitues në konkurset e pranimit për kandidatët brenda vendit. Ndërkohë, mbeten të paplotësuara 94 kuota: 67 në Fakultetin e Muzikës, 8 në atë të Artit Skenik dhe 19 në Artet e Bukura. Krahasuar me vitin akademik 2024-2025, kemi një rritje prej 6.9% në Fakultetin e Muzikës, 14.29% në Fakultetin e Artit Skenik, ndërsa në Fakultetin e Arteve të Bukura shifra mbetet e njëjtë , 66 studentë janë regjistruar si këtë vit, ashtu edhe vitin e kaluar”.

Dorian Çene

Ai sqaron se degët më të preferuara nga të rinjtë mbeten Kanto, Multimedia dhe Aktrimi duke marrë parasysh vizibilitetin e lartë të këtyre profesioneve. Megjithatë, ende nuk ka të dhëna të sakta se sa prej studentëve arrijnë të punësohen në profesion pas përfundimit të studimeve.

“Preferenca për degët në Universitetin e Arteve lidhet kryesisht me specifikat e fakulteteve. Në Fakultetin e Muzikës, dega më e preferuar është Kanto, në Fakultetin e Arteve të Bukura është Multimedia, ndërsa në Fakultetin e Artit Skenik, ndër programet më të preferuara janë Regji dhe Aktrim. Këto preferenca krijohen për shkak të perceptimit se këto programe kanë më shumë kërkesa në tregun e punës dhe ofrojnë vizibilitet më të madh publik. Megjithatë, pjesa më e madhe e punësimit realizohet si profesionist i lirë, dhe për shkak të informalitetit në Shqipëri, nuk mund të kemi shifra të sakta për nivelin real të punësimit”.

Dorian Çene shton se bashkëpunimet me institucionet e artit në Shqipëri janë të konsoliduara, ku studentët e arteve shpesh marrin pjesë aktive në shfaqje, teatro dhe ekspozita, duke u dhënë mundësi përballë tregut të punës.

“Universiteti i Arteve ka një sërë marrëveshjesh me institucionet e kulturës në Shqipëri. Falë këtyre marrëveshjeve, studentët kanë qasje direkte me ushtrimin e profesionit të tyre. Kemi bashkëpunime të përhershme me teatrot, të cilat sigurojnë angazhimin e studentëve në shfaqje profesioniste. Po ashtu, një bashkëpunim i suksesshëm ekziston edhe me Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblin Popullor, ku studentët angazhohen në shfaqje të ndryshme. E njëjta gjë vlen edhe për ekspozitat e përbashkëta të Arteve të Bukura, që angazhojnë studentët. Këto mundësi krijojnë një përvojë konkrete për studentët në përballjen me tregun e punës dhe në ndërtimin e kontakteve me artistë të konfirmuar”.

Zv/rektori thekson gjithashtu mundësitë ndërkombëtare për studentët përmes programit Erasmus+, në vendet më të zhvilluara të Evropës.

“Universiteti i Arteve ka marrëveshje bashkëpunimi me institucione jashtë vendit, kryesisht përmes programit Erasmus+. Këto marrëveshje ofrojnë mundësi konkrete për studentët për të fituar eksperiencë me institucione të arsimit të lartë në vendet e BE-së, si Spanja, Italia dhe Norvegjia. Përveç qasjes së diversifikuar ndaj mësimdhënies, këto mundësi u mundësojnë studentëve të përballen me tregun ndërkombëtar të punës, pasi gjatë periudhës së studimit ata duhet të japin shfaqje ose të ekspozojnë veprat e tyre artistike”.

Në një kohë kur të dhënat për tkurrjen e numrit të studentëve në universitetet shqiptare janë demotivuese, universiteti i Arteve ofron një shembull frymëzues jo vetëm për rritjen e kërkesës në vitin akademik 2025/2026, por edhe për qasjen e të rinjve ndaj artit, i cili, megjithëse me sfida të mëdha, vazhdon të frymëzojë për ribashkim dhe ridimensionim përmes talenteve të reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë