Gazeta Si – Gjyqtarët dhe prokurorët e çdo niveli, kanë kërkuar siguri maksimale në gjykata dhe shpalljen Dëshmor të Atdheut të gjykatësit Astrit Kalaja.
Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të gjyqtarëve, të mbajtur këtë të enjte, 9 tetor në Tiranë, këta të fundit kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për mediat.
Nisur nga krimi i 6 tetorit, ku Elvis Shkambi vrau në sallën e gjyqit gjyqtarin e Apelit, Astrit Kalaja, gjyqtarët kërkojnë siguri maksimale në gjykata, me skaner dhe detektorë për të gjitha institucionet ligjore, ndërgjegjësim publik dhe bashkëpunim me mediat për të shmangur gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të ushtrojë me forcë pushtetin kushtetues për mbrojtjen e gjyqtarëve”, theksohet në deklaratë, ndërsa kërkohet që gjyqtari i ndjerë, Astrit Kalaja të shpallet “Dëshmor i Atdheut”, dhe salla ku ai humbi jetën të marrë emrin e tij.
“Drejtësia shqiptare do të vazhdojë me guxim për të mbrojtur të drejtat e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, në deklaratë ata theksojnë se vrasja e gjyqtarit ishte një goditje ndaj shtetit të së drejtës dhe një sulm ndaj pavarësisë së sistemit gjyqësor.

Ata shprehen gjithashtu se ngjarja e rëndë është pasojë e një klime të helmuar fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj gjyqtarëve, e ushqyer nga gjuha e urrejtjes dhe ndërhyrjet e papërgjegjshme që kanë minuar besimin publik, e cila sipas tyre, duhet të marrë fund sa më shpejtë.
Në deklaratë kërkohet ndër të tjera që pushteti ekzekutiv dhe legjislativ të marrin përgjegjësinë për gjendjen ku ndodhet sot drejtësia.
Kjo pasi sipas tyre, shteti nuk mund të kërkojë drejtësi të pavarur, nëse nuk garanton kushtet minimale për ushtrimin e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



