Drejtësia

Nis në KLGJ mbledhja me gjyqtarët e Shqipërisë, takimi me dyer të mbyllura

Gazeta Si – Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ka nisur paraditën e kësaj të enjteje mbledhja e gjyqtarëve në Këshillin e Lartë Gjyqësor në godinën e Polit të Drejtësisë.

Të pranishëm në sallë janë 360 gjyqtarë, teksa ka mbajtur fjalën i pari kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Takimi synon të adresojë situatën e rëndë që ka shkaktuar shqetësim dhe pasiguri në radhët e gjyqtarëve.

Mbledhja po zhvillohet me dyer të mbyllura, ku pas saj pritet që gjyqtarët të mbajnë prononcim për mediat për të komunikuar vendimet që do merren në këtë mbledhje

Ky reagim vjen si pasojë e vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit më 6 tetor.

Autori i ngjarjes, Elvis Shkambi, dyshohet se ka kryer krimin në hakmarrje për një vendim gjyqësor të dhënë nga Kalaja, që nuk shkonte në favor të xhaxhait të tij, Gjon Shkambi – i përfshirë si palë e tretë në një çështje pronësie.

Një ditë më parë, gjyqtarë, prokurorë e avokatë, kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e sigurisë në gjykata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë