Gazeta Si – Dy ditë pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës “arrest me burg” për tre të arrestuarit.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, Elvis Shkambi akuzohet për “vrasje e funksionarëve publikë”, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë”, në dëm të Ragip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjon Shkambi akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë” në dëm të Ragip dhe Ervis Kurtaj. Ndërsa, Banush Koxhaj roja e sigurisë së Gjykatës akuzohet për ”shpërdorim detyre.”
Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur edhe shtetasit Rakip dhe Ervis Kurtaj (babë e bir), palë në procesin gjyqësor, për të cilin dha verdiktin gjyqtari i ndjerë.
Sipas Prokurorisë së Tiranë, në përfundim të seancës në fjalë, rreth orës 15:35 të së hënës, sapo është shpallur vendimi, Shkambi ka nxjerë pistoletën nga brezi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit Kalaja. Pas këtij veprimi, ai ka drejtuar armën ndaj babë e bir (palë në proces), duke i lënë të plagosur.
Menjëherë më pas, autori i ka lënë në dorë pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe pasi ka dalë në oborr, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë.
Gjyqtari u transportua me ambulancë në Spitalin e Traumës Tiranë, por gjatë rrugës ndërroi jetë. Nga administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, rezulton se Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi, kanë hyrë në gjykatë njëri pas tjetrit në orën 13:42 të asaj dite, ndërsa skaneri nuk ka sinjalizuar prezencën e armës.
Punonjësi i sigurisë, ndaj të cilit rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontroll fizik apo regjistrimin e këtyre personave në librin e protokollit.
Sa i takon Gjon Shkambit, xhaxhait të autorit të krimit, hetuesit thonë se pavarësisht se në dukje ai nuk ka kryer ndonjë veprim konkret, ka qëndruar i qetë kur arma është shkrehur prej nipit të tij, gjë që çon në dyshimet se ka pasur dijeni mbi planet e 30-vjeçarit.
“Gjithashtu krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka rolin e shtytësit në tentativën për të vrarë palët ndërgjyqëse, dyshim i krijuar jo vetëm nga rrethanat e lartpërmendura, por duke marrë parasysh edhe një sërë veprimesh të kryera nga shtetasi Gj.Sh., gjatë periudhës që i paraprin krimit, sikurse janë kërcënimet publike për vrasje të palëve të bëra në emisione televizive, si dhe një numër i madh ngjarjesh të kallëzuara nga viktimat për kanosjet me jetë që u janë bërë nga shtetasi Gj. Sh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Të tre këta shtetas janë arrestuar në flagrancë si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale të lartpërmendura dhe për ta është paraqitur pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkesa për vleftësimin e arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal arrest në burg”, përfundon Prokuroria e Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



