Kosova

Osmani takon kreun e KFOR: Kosova po përballet me kërcënime me dronë nga Serbia

Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar gjatë një takimi me komandantin e ri të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë se shteti i saj po përballet me “kërcënime me dronë” nga Serbia.

Në takim me gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash, i cili u riemërua komandant i KFOR-it javën e kaluar, Osmani bisedoi për zhvillimet në fushën e sigurisë.

“Duke diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, si dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, përfshirë kërcënimet me fokus të veçantë te përdorimi i dronëve, presidentja potencoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të KFOR-it me institucionet tona të sigurisë me qëllim të parandalimit të taktikave destabilizuese të Serbisë”, thuhet në njoftim.

Zyrtarë të Kosovës thanë në fund të shtatorit se hapësira ajrore e Kosovës ishte shkelur nga dronë të dyshuar serbë.

Por, as ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, e as drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, nuk kishin dhënë hollësi rreth këtyre pretendimeve, apo kur kishin ndodhur këto shkelje të dyshuara me dronë.

KFOR-i, në anën tjetër, tha para disa ditësh se nuk kishte vërejtur ndonjë hyrje të dronëve nga jashtë në hapësirën ajrore të Kosovës që mund të ndikonin në sigurinë e gjithë vendit.

KFOR gjithashtu shtoi se “nuk donte të spekulonte mbi raportimet për fluturimin e dronëve të paautorizuar mbi hapësirën e Kosovës”.

Osmani u ankua për “kërcënime të vazhdueshme” nga Serbia edhe në një takim me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart B. Munsch, javën e kaluar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i hodhi poshtë pretendimet e Osmanit para disa ditësh, duke thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po përpiqet sipas tij, t’u mbushë mendjen shteteve europiane që të mbajnë anën e Prishtinës dhe të dalin kundër Beogradit.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE për sundimin e ligjit, EULEX.

Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës edhe për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë