Drejtësia

Siguria në gjykata, gjyqtarë e prokurorë kërkojnë mbledhje urgjente pas vrasjes së Astrit Kalasë

Gazeta Si – Pas vrasjes tragjike në sallën e gjyqit të gjykatësit Astrit Kalaja, një grup prokurorësh e magjistratësh kanë dërguar sot një kërkesë zyrtare drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për thirrjen e Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve.

Në dokument, prokurorët nënvizojnë se mbledhja duhet të ketë si fokus kryesor diskutimin e sigurisë fizike dhe mbrojtjes së figurës dhe dinjitetit të magjistratëve, duke marrë parasysh rreziqet e larta që ata përballen në ushtrimin e funksioneve të tyre.

Prokurorët thonë se vrasja e gjyqtarit Kalaja ka nxjerr në pah boshllëqe serioze në sistemin e sigurisë, duke theksuar se kjo kërkon reflektim dhe reagim të menjëhershëm institucional.

“Kjo kërkesë vjen si pasojë e ngjarjes tragjike të humbjes së jetës së një magjistrati (gjyqtari) gjatë ushtrimit të detyrës, e cila ka tronditur të gjithë trupën e drejtësisë dhe ka nxjerrë në pah boshllëqe serioze në sistemin e sigurisë, brenda dhe jashtë institucioneve të drejtësisë. Kjo situatë kërkon një reflektim të menjëhershëm institucional dhe një vendimmarrje kolektive, në mënyrë që magjistratët të mos jenë më të ekspozuar ndaj riskut fizik apo institucional në kryerjen e funksioneve të tyre kushtetuese”, thuhet në kërkesën e prokurorëve.

Prokurorët theksojnë se duhet të mblidhen me qëllim koordinimin e një përgjigjeje të unifikuar ndaj rreziqeve që prekin sigurinë e magjistratëve dhe integritetin e sistemit të drejtësisë.

“Ngjarja tragjike e vrasjes së një magjistrati gjyqtar në sallën e gjyqit, në krye të detyrës, përbën një rast të jashtëzakonshëm që tejkalon kufijtë e çështjeve të zakonshme të administrimit të drejtësisë. Në këtë rrethanë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin moral dhe institucional për të reaguar përmes thirrjes së Mbledhjes së Përgjithshme, me qëllim koordinimin e një përgjigjeje të unifikuar ndaj rreziqeve që prekin sigurinë e magjistratëve dhe integritetin e sistemit të drejtësisë”, vijon kërkesa.

Pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, të enjten, 9 tetor, do të zhvillohet edhe Mbledhja e Gjyqtarëve të Shqipërisë, ku pritet të diskutohet për sigurinë në institucionet e drejtësisë.

Kërkesa përfshin pika të detajuara:

-Siguria në ambientet e prokurorive dhe kontrolli i hyrjeve

-Kushtet e transportit dhe lëvizjes së prokurorëve, përfshirë nevojën për mbështetje institucionale

-Rishikimi i standardeve të sigurisë sipas praktikave të Bashkimit Evropian dhe udhëzimeve CEPEJ

-Masat konkrete për garantimin e dinjitetit dhe konfidencialitetit në ushtrimin e detyrës

Po ashtu, prokurorët kërkojnë që mbledhja të trajtojë edhe fenomenin e gjuhës së urrejtjes ndaj magjistratëve, e manifestuar nga përfaqësues të politikës dhe mediat, duke e konsideruar atë një rrezik serioz për autoritetin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Kërkesa mbështetet nga më shumë se 1/10-a e trupës së prokurorëve dhe kërkon që Mbledhja e Përgjithshme të thirret sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të nxirren vendime konkrete për forcimin e sigurisë së magjistratëve në të gjitha nivelet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë