Gazeta Si – Elvis Shkambi, autori 30-vjeçar i ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja, ka qëndruar në oborrin e Gjykatës së Apelit pak pas krimit së bashku me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi.
Ata kanë pritur policinë, e cila i ka vënë prangat menjëherë në oborrin e gjykatës, ku shihet 30-vjeçari, i cili qëndron i qetë, me duar në xhepa, pas kryerjes së krimit.
Ndërkohë, xhaxhai i tij shihet në derën e institucionit, që tymos një cigare me qetësi. Pak më tej, në sportelin e jashtëm, qëndron edhe një burrë i katërt, për të cilin ende nuk dihet se çfarë roli ka pasur. Në momentin që i afrohet polici i parë, Shkambi shprehet: “Hajde, unë jam vrasësi”.
Më herët, gjatë dëshmisë së tij përpara grupit hetimor, Elvis Shkambi ka deklaruar se i kishte ardhur në majë të hundës nga gjyqet.
Gjatë marrjes në pyetje në polici, ai ka shtuar se nuk e kishte paramenduar krimin. Sipas tij, në momentin që gjyqtari ka dhënë vendimin kundër familjes së tij për pronën, atëherë e ka vrarë.
“Më kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet. Dëgjova që mori vendimin në favor të palës tjetër. Unë nuk e kam menduar përpara vrasjen, por aty m’u mbush mendja për ta vrarë, kur dha vendim kundër nesh”, ka thënë autori, Erion Shkambi.

Përveç gjyqtarit, mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, të cilët ishin palë në çështjen civile që po shqyrtohej.
Burime bëjnë me dije se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe pritet të dalin sot nga spitali. Djali ka marrë një plumb në krah, i cili ka hyrë dhe dalë pa shkaktuar dëmtime të rënda, ndërsa i ati ka pësuar djegie sipërfaqësore nga goditja, por nuk është qëlluar drejtpërdrejt me armë.
Sipas Policisë së Tiranës, ngjarja ndodhi pak çaste pasi gjyqtari shpalli vendimin për një çështje që kishte në thelb kundërshtimin e veprimeve përmbarimore.
Autori, Elvis Shkambi, qëlloi me armë gjyqtarin Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit. Më pas, ai plagosi dyshen babë e bir.
Përveç tij, në pranga kanë rënë edhe Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit dhe roja e sigurisë së Gjykatës së Apelit, i cili ka neglizhuar hyrjen me armë të Elvis Shkambit, edhe detektori ka dhënë sinjal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



