Gazeta Si – Autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Elvis Shkambi, i shoqëruar nga forca të policisë dhe me pranga në duar, është dërguar në Drejtorionë e Policisë së Tiranës.
Bashkë me të është shoqëruar edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, i cili humbi gjyqin për pronën pas vednimit të Gjykatës së Apelit përballë 31 familjeje si palë në proces për një një godinë në Shkodër.
Pasditen e të hënës, 30-vjeçari Elvis Shkambi ekzekutoi në krye të detyrës gjyqtarin Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Përgjithsme të Apelit.
Ai qëlloi me 3 plumba drejt gjyqtarit, dy prej tyre në gjoks dhe një një bark, ndërsa magjistrati ndërroi jetë rrugës për në Spitalin e Traumës, ku dhe u konstatua vdekja e tij.
Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, palë kundërshtare në gjyq me Shkambin. Njëri prej tyre, i është nënshtruar një operacioni, por mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën
Elvis Shkambi kreu krimin, pasi xhaxhai i tij Gjon Shkambi humbi gjyqin për një godinë në lagjen “Skënderbeg” të ndërtuar nga shteti dhe që në vitin 1992 janë strehuar me vendim të Këshillit Bashkiak 31 familje, por truallin ku është ndërtuar godina e ka fituar më vonë me vendim gjykate familja Shkambi.
Pas krimit, autori i dorëzoi armën oficerit të sigurisë në Gjykatën e Apelit dhe më pas doli nga Gjykata dhe iu dorëzua edhe vetë Policisë, pa bërë asnjë rezistencë, duke u shprehur “unë jam autori”.
Në dëshminë paraprake të dhënë për grupin hetimor, Elvis Shkambi ka deklaruar se nuk kishte zgjidhje tjeterë, pasi e humbi gjyqin.
Nuk dihet se si 30-vjeçari ka arritur të fusë armën e zjarrit pistoletë brenda sallës së gjyqit, teksa Policia ka ndaluar oficerin e sigurisë së Gjykatës së Apelit, i cili konsiderohet si përgjegjës për skanerin e sigurisë në hyrjen e institucionit të drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



