Drejtësia

GJKKO-SPAK në alarm për sigurinë e gjyqtarëve, Gjyjata Kushtetuese: Përgjegjësi e shtetit!

Gazeta Si – GJKKO i ka shprehur ngushëllimet për familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit Astrit Kalaja, duke e cilësuar humbjen e tij një goditje të rëndë për sistemin gjyqësor dhe shoqërinë shqiptare në tërësi.

“Ngjarja e sotme është një alarm për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin magjistratët në Republikën e Shqipërisë.,” thuhet në reagim, duke theksuar se gjyqtarët janë shtylla të drejtësisë dhe garantues të shtetit të së drejtës, ndaj mbrojtja e tyre është domosdoshmëri për funksionimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

GJKKO e cilëson këtë akt kriminal si një kërcënim ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe besimit të qytetarëve tek drejtësia, dhe kërkon marrjen e masave për të garantuar sigurinë e të gjithë përfaqësuesve të ligjit.

Edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka shprehur ngushëllimet për familjen e gjyqtarit të vrarë, teksa e konsideron aktin e rëndë si një nevojë emergjente për të rritur sigurinë nëpër gjykata.

Po kështu SPAK kërkon rritje të sigurisë edhe për të gjithë punonjësit e drejtësisë. “Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme”, thuhet në reagimin e SPAK.

Edhe Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit.

Në deklaratën e saj, Gjykata Kushtetuese shpreh tronditjen dhe dhimbjen më të thellë për humbjen e jetës së gjyqtarit, duke përcjellë ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.

“Ky akt i rëndë përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj individit, por edhe ndaj vetë parimeve të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës”, thuhet në reagim.

Gjykata thekson se mbrojtja e jetës, sigurisë fizike dhe institucionale të gjyqtarëve dhe qytetarëve që kërkojnë drejtësi është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.

“Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë, e pavarësisë së saj dhe e besimit të publikut tek institucionet shtetërore”, nënvizohet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë