Rend dhe Ligj

Vrasja e gjyqtarit, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu: Policia nuk ka asnjë përgjegjësi

Gazeta Si – Pak pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, përveç se ka dënuar aktin e rëndër, ka theksuar se forcat e policisë  nuk kanë asnjë përgjegjësi për hyrjet dhe daljet apo sigurinë në gjykata.

“Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës. Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve, – shkruan Koçiu. – Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje. Autori është ndaluar menjëherë dhe kemi angazhuar ekspertët më të mirë për të kqyrur në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga ana e punonjësve të sigurisë të gjykatës”, shkruan ministrja.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një njoftimi për mediat, Lamallari shkruan se sulmi ndaj gjyqtarit është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.

Duke i cilësuar sulmet ndaj njerëzve të drejtësisë si një vijë e kuqe, Lamallari kërkon dënimin më të ashpër ndaj autorit dhe ndaj kujtdo që guxon të kryejë akte të tilla.

Ai vijon më tej duke thënë se armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë