Drejtësia

Vrasja e gjyqtarit, KLP: Sulm ndaj Kushtetutës. Dhoma e Avokatisë: Alarm për sigurinë!

Gazeta Si – Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pasditen e së hënës, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit gjatë ushtrimit të detyrës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ka cilësuar këtë ngjarje si një goditje ndaj vetë sistemit të drejtësisë dhe rendit kushtetues në vend.

“Nga kjo ngjarje është goditur jo vetëm një përfaqësues i drejtësisë, por edhe vetë Kushtetuta dhe shteti ligjor, pasi vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i paimagjinueshëm”, thuhet në deklaratën e KLP-së.

Këshilli shpreh ngushëllimet për familjarët, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja, duke theksuar se trupës së drejtësisë i duhet tani më shumë se kurrë unitet dhe mbështetje institucionale.

“Kjo tragjedi na kujton domosdoshmërinë e një uniteti të fortë institucional dhe përgjegjësie të përbashkët shtetërore, për të mbrojtur çdo përfaqësues të drejtësisë që shërben në emër të ligjit”, përfundon reagimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ndërsa Dhoma e Avokatisë e ka cilësuar “thirrje alarmi” për sigurinë në vend, vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Tiranë.

Në reagim thuhet se kjo është goditje për të gjithë sistemin, ndërsa u bëhet thirrje të gjithë avokatëve që të thellojnë punën për të ndërgjegjësuar palët e përfshira në procese penale.

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pasditen e së hënës, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, humbi jetën brenda sallës së gjyqit pas një sulmi me armë zjarri.

Në deklaratën e saj, Gjykata e Lartë shpreh “tronditjen dhe dhimbjen e thellë” për këtë ngjarje tragjike dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit të ndjerë.

Sipas trupës gjyqësore, kjo ngjarje është “një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë” me të cilën përballen gjyqtarët shqiptarë dhe për kushtet shqetësuese të infrastrukturës në shumë prej gjykatave të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë