Ngjarje

Vritet 44-vjeçari shqiptar në Kolumbi, dyshohet për larje hesapesh mes bandave të drogës

Gazeta Si – Një 44-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Artur Tushi me nënshtetësi ekuadoriane, është ekzekutuar me armë zjarri në qendrën tregtare Santa Fe pasditen e të dielës, 5 shtator 2025.

Sipas mediave kolumbiane, policia ka arrestuar vrasësin, i cili përdori një motor për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas ekzekutimit. Autori e qëlloi më shumë se pesë herë. Plagët ishin në gjoks dhe në krahë.

Duke e cilësuar ngjarjen si vrasje me pagesë, mediat theksojnë se janë sekuestruar arma e zjarrit dhe motori, ndërsa ka mbetur e plagosur edhe një grua që shoqëronte shqiptarin.

Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për larje hesapesh mes bandave të drogës. Dëshmitarët në vendngjarje kanë parë një të ri që është afruar me motoçikletë, e ka pyetur shqiptarin për emrin dhe pasi ka marrë konfirmimin ka qëlluar me armë drejt tij.

“Ai i kërkoi vetëm emrin e personit dhe, kur e konfirmoi se ishte ai e qëlloi për vdekje”, tha një dëshmitar sipas mediave lokale.

Sekretari i Sigurisë së qytetit, Manuel Villa Mejía, informoi se viktima ishte një burrë që kishte dokumente ekuadoriane, por është me kombësi shqiptare.

Viktima, Artur Tushi

“Motivet dhe detajet e rastit janë duke u hetuar në këtë moment nga autoritetet”, deklaroi Villa Mejía.

Sipas hetimeve të InSight Crime, rrjetet shqiptare janë një aktor kyç në trafikun e drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë kryesore për operacionet e tyre transatlantike.

Këto grupe kriminale ballkanike kanë dërguar përfaqësues në Amerikën e Jugut për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit e kokainës si FARC apo grupi “Los Urabeños” në Kolumbi, me qëllim që të sigurojnë çmimin më të ulët të mundshëm me shumicë.

Rreth një javë më parë, një 62-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim që prej vitit 2016 në Itali, është arrestuar në qytetin e Tunjas në Kolumbi i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Genti Krasniqi, ishte në listën e personave më të kërkuar nga drejtësia italiane, pasi në vitin 2016 në një apartament luksoz që përdorte në Milano, iu zbuluan sasi të mëdha heroine që i kishte transportuar nga Tirana. Në atë kohë ai arriti të arratisej nga Italia dhe që prej atëherë është në kërkim ndërkombëtar.

Krasniqi po qëndronte në një vend të vogël, duke u paraqitur si turist i zakonshëm, ndërsa në realitet ishte një prej personave më të kërkuar në trafikun ndërkombëtar të drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë